Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 07:52

Shkup – Investimet kapitale qeveria i ka përqendruar në Shkup, Ohër dhe në korridorin 10-të. “Shkupi 2014” vazhdon të mbetet një nga projektet kapitale të qeverisë edhe për tre vitet e ardhshme. Përveç busteve dhe ndërtimeve në qendër të qytetit, pjesë e projektit “Shkupi 2014” është edhe kompleksi i Kalasë së Shkupit. Por, përveç Shkupit edhe Pllaoshniku i Ohrit, vazhdon të mbetet një nga prioritetet e Qeverisë. Rindërtimi i universitetit Shën Klimenti, në Pllaoshnik duhet të përfundojë në vitin 2014. Po ashtu edhe Korridori 10-të, në të cilin vazhdimisht është investuar, sërish mbetet prioritet. Korridori 10 do të ndërtohet deri në vitin 2012, ndërsa Korridori 8 do të nis të ndërtohet këtë vit.

Pas gërmimeve arkeologjike që zgjatën tre vjet, nisi ndërtimi i 23 objekteve që do të zënë një sipërfaqe prej 7 800 metrave katrorë. Kompleksi do të ketë shkollë konservimi, bibliotekë, muze, selinë e galerisë me ikona, Institutin maqedonas për shkenca humane, hapësirë të veçantë për murgjit, afiliale të universiteteve botërore, kopsht etj. Projekt tjetër kapital është ai i modernizimit të spitaleve dhe pajisjes së tyre me aparatura të reja, ndërtimi i sallave të sportit dhe fushave të tenisit në të gjithë Maqedoninë. Ndërkaq, për vitet në vazhdim, si projekte kapitale janë paraparë ndërtimi i teatrit dhe i bibliotekës së Tetovës si dhe ndërtimi i sheshit Skënderbeu. Po ashtu ndër projektet që do të realizohen deri në vitin 2016 janë edhe parqet rekreative në Kodrën e Diellit, në Mavrovë, në Pelister dhe në zona të tjera të Maqedonisë lindore. Sipas ekspertëve, në Maqedoni ka një centralizim të investimeve kapitale. “Edhe investimet e bëra deri më tani, edhe projektet e parapara për tre vitet e ardhshme janë të përqendruara në Shkup dhe në Maqedoninë lindore, ndërsa në pjesën shqiptare janë paraparë vetëm investime simbolike”, kanë thënë ekspertët, duke shtuar se ky është një diskriminim i vazhdueshëm i shqiptarëve në sferën ekonomike.