Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 13:47

Shkup – Republika e Maqedonisë viteve të kaluara bëri hapa të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian, thuhet në deklaratën zyrtare me shkrtim të ditës së martë të raportuesit tashmë të sapo zgjedhur për Maqedoninë, Riçard Hovit, anëtar i Grupit progresiv socialist në Parlamentin Evropian.

“Unë jam më shumë se i vetëdijshëm për sfidat të cilat e presin vendin, përfshirë edhe në sferat e pavarësisë së gjyqësisë, luftës kundër korrupsionit, reformës në administratën publike, ndërsa kohëve të fundit, lirisë së medieve, por gjatë mandatit tim, unë jam i vendosur të bëj gjithçka që do t’i ndihmonte vendit të arrijë sukses”, ka shtuar Hovit.

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jenë me rëndësi kyçe për shtetin në procesin integrues, duke treguar përkushtim drejt plotësimit të Kritereve të Kopenhagës të BE-së. Është obligim i Qeverisë si dhe i të gjitha partive politike, shton ai, të sigurohen zgjedhje të lira dhe korrekte në pajtim me standardet ndërkombëtare.

Sa i përket çështjeve të pazgjidhura bilaterale me Greqinë, Hovit shpreson se do të kontribuojë në ndërtimin e besimit, solidaritetit dhe përgjegjësisë, me qëllim që të na mundësojë të ecim përpara. Ai shton se Këshillit Evropian, do t’ia bart rekomandimet e Komisionit për hapjen e negociatave parahyrëse me Maqedoninë.