Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 08:57

Shkup – Për ditën e enjte, Komisioni për lustrim në Maqedoni ka caktuar mbledhje të rregullt, por nuk përjashtohet që në rend dite të shtohen edhe të dyshuar të tjerë potencialë, nëse deri atëherë përfundon verifikimi i rolit të tyre në dokumentet e gjetura dhe nëse dëshmohet se lustratorët duhet të merren me ta.

Me këtë, lustratorët gjatë javës do të verifikojnë nëse ish-gjykatës, drejtorë apo politikanë, iniciuar nga DSK-ja, kanë qenë bashkëpunëtorë. Me këtë do të inspektohen dosjet e katër akademikëve me të cilët disponon Arkivi shtetëror, ndërsa së shpejti do bëhen edhe pastrime mes gazetarëve, duke nisur nga servisi shtetëror i Raditelevizionit të Maqedonisë.

Madje, rreth 20 emra të rinj të funksionarëve dyshohet se janë në arkivin e shërbimeve sekrete. Komisioni për lustrim është i njoftuar për këto dhe duhet t’i verifikojë të dhënat e se kush prej gjykatësve të mëparshëm, drejtorëve, politikanëve dhe funksionarëve ka qenë spiun për nevojat e policisë sekrete.

Kryetari i Komisionit për verifikimin e fakteve, Tome Axhiev, ka thënë se do të ngrejë iniciativë përpara Komisionit për të vërtetuar se vallë personat që nuk kanë dhënë deklarata kanë qenë apo jo bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.

Ai ka thënë se ligji parasheh dënime rigoroze për të gjithë personat që nuk kanë dorëzuar deklaratat publike.

Por, ish-ministri i Kulturës dhe zëdhënës në njërën nga qeveritë e Branko Cërvenkovskit, Gjuner Ismail nuk ka dorëzuar deklaratë para komisionit për verifikimin e fakteve se ka qenë bashkëpunëtorë i shërbimeve sekrete.

Lajmin e konfirmoi vetë Ismail, i cili ka thënë se të njëjtën nuk e ka bërë pasi që nuk e njeh ligjin për lustrim e as legjitimitetin e këtij komisioni.

Si ish-bashkëpunëtorë të sigurimeve sekrete deri tani kanë rezultuar, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski, kryetari i partisë Forcat e majta titiste, Sllobodan Ugrinovski, dy kandidatë për deputetë si dhe një gjykatës i pensionuar. (LajmeShqip.com)