Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 12:38

Shkup – Në Parkun e qytetit në Shkup, sot në mesditë fillon Hepeningu me rastin e Ditës së Evropës, që përfundon pas mesnate me projeksion filmik të filmave të shkurtër me temë “Vizione për Evropën”. Hepeningun do ta hapin euroambasadori Peter Sorensen, zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Vasko Naumovski dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. Në aktivitete kushtuar shënimit të Ditës së Evropës, në parkun e qytetit do të inkuadrohen qindra nxënës dhe disa dhjetëra muzikantë dhe artistë, ndërsa programi do të zhvillohet në disa lokacione dhe do të zgjasë më shumë se 12 orë. Janë paraparë prezantime të vendeve evropiane të nxënësve nga Shkupi deri te vizatim rrugor 3D me shkumës gjatë paraditës, koncerte në të cilat do të performojnë njëri prej muzikantëve më të njohur maqedonas Vllatko Stefanovski, grupi Superhiks dhe Adrian Gaxha, Toni Kitanovski Trio, Kire Milladinovski nga Lokomotiva do ta performojë “Vallëzimin e flamujve”, ndërsa do të mbahen edhe turnire në futboll, skejtbord, rolshue dhe biçikleta në orët e pasditës. Hepeningu me rastin e Ditës së Evropës tradicionalisht organizohet nga ana e Delegacionit të BE-së në bashkëpunim të ngushtë me Sekretariatin për çështje evropiane, autoritetet lokale, ambasadat e vendeve-anëtare të BE-së dhe partnerë të tjerë. Dita e Evropës kremtohet si ditëlindje e BE-së që nga viti 1985 kur liderët e BE-së gjatë Samitit në Milano, vendosën ta kremtojnë si “Dita e Evropës”. Më 9 maj të vitit 1950, Robert Shuman, e prezantoi propozimin e tij për krijimin e Evropës të organizuar, e domosdoshme për mbajtjen e marrëdhënieve paqedashëse. Kjo datë, 9 maji sot është simbol evropian i cili, së bashku me flamurin, himnin, moton dhe valutën e vetme, e identifikon entitetin politik të Bashkimit Evropian.