Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 11:11

Shkup – Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski pretendon se sërish do të fitojë në zgjedhjet e parakohshme të caktuara më 5 qershor.

Ai këtë nuk e ka fshehur në një takim të koalicionit rreth partisë së tij, ku bëjnë pjesë 24 parti politike, duke përfshirë ato të komunitetit turk, rom, serb, boshnjak dhe parti tjera minore maqedonase. “Ky është një front masiv, i cili jo vetëm se duhet të sjellë fitoren e ardhshme në zgjedhje, por edhe të marrë përgjegjësinë gjatë katër viteve të ardhshme dhe të bëjë përparime në Maqedoni, në çdo fushë”, ka thënë Gruevski, me rastin e nënshkrimit të një platforme të përbashkët me partitë e koalicionit, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga koalicionet më masive deri tani në historinë e këtij vendi. Ai ka shtuar se në listat e deputetëve të koalicionit është përfshirë edhe frymë e re kadrovike dhe me potencial të lartë. Gruevski do të jetë bartës liste në njësinë e parë zgjedhje, duke qenë përballë kundërkandidates së opozitës, Radmilla Sheqerinska nga LSDM. VMRO-DPMNE edhe në këto zgjedhje del me platformën politike “Rilindja 100 hapa”, por e zgjeruar dhe e plotësuar me projekte të tjera. Ndërkohë, pa befasi më të mëdha, VMRO-DMNE qeverisëse, pesë në dymbëdhjetë i dorëzoi listat e kandidatëve për deputetë deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Prijësit e listave janë kryeministri Nikolla Gruevski në njësinë e parë zgjedhore, Gordana Jankullovska në njësinë e dytë zgjedhore, Vllatko dhe Zoran Stavrevski në njësinë e tretë dhe të katërt zgjedhore, ndërsa në njësinë e pestë dhe të gjashtë do të garojnë Antonio Milloshovski dhe Nikolla Todorov. Ministrat e tjerë të VMRO-DPMNE-së nuk u gjetën në listat zgjedhore. Vende fitimtare sigurisht kanë marrë edhe partnerët e Gruevskit, lider-ja e RDM-së, Liljana Popovska dhe Boris Stojmenov u gjetën në pozitën e dytë dhe të gjashtë menjëherë pas Gruevskit në njësinë, lideri i Serbëve, Ivan Stoiljkoviq është në vendin e katërt në dyshen, kurse Amdi Bajram është në vendin e pestë. Lubisav Ivanov-Xingo do të sigurojë vend në treshen menjëherë pas Gjorçev, kurse lideri i LD-së Pavle Trajanov në njësinë e katër zgjedhore. Lideri i Turqve, Kenan Hasipi do të luftojë për vend deputet në gjashtën. Vendet e tyre të sigurta i siguruan edhe Ilija Dimitrov, Aleksandar Nikollovski, Sillvana Boneva, Svetllana Jakimovska, Vlladimir Peshevski, Ilija Kitanovski dhe prezantuesi Trajko Veljanoski. Nga kryetarët aktual të komunave në VMRO-DPMNE në garën e deputetëve kanë hyrë edhe kryetarët e komunës së Aerodrom-it, Prilepit dhe të Manastirit, Ivica Konevski, Marjan Risteski dhe Vladimir Taleski. Vendet e tyre në listat e deputetëve të VMRO-DPMNE morën edhe drejtori i DAP, Goran Trajkovski dhe gjykatësi i njësisë Qëndrore, Vlladimir Tufegxhiq.