Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 08:17

Shkup – Mandatari Nikolla Gruevski, të shtunën mbrëma në Parlamentin e Maqedonisë, e dorëzoi programin qeveritar dhe emrat e ministrave të rinj në kabinetin e ri qeveritar.

Nga radhët e partnerit të koalicionit BDI ka dy zëvendëskryeministra, për integrim evropian është Teuta Arifi, ndërsa për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi. Valon Saraçini do ta udhëheqë resorin e Ekonomisë, ndërsa ministri i deritanishëm, Fatmir Besimi kalon në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Ekologjinë do ta udhëheqë Abdilaqim Ademi, Vetëqeverisjen Lokale, Nevzat Bejta, ndërsa ministër i Drejtësisë do të jetë Blerim Bexheti. Në përbërjen e re qeveritare vendet e zëvendësministrave nga VMRO-DPMNE-ja i kanë mbajtur Zoran Stavreski dhe Vlladimir Peshevski. Gordana Jankullovska mbetet në krye të MPB-së, përderisa Ministrinë e Kulturës edhe më tej e kryeson Elizabeta Kançeska-Milevska. Nikolla Popovski, ambasadori i deritanishëm në BE, do të udhëheqë me diplomacinë e Maqedonisë, Nikolla Todorov do të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa ministër i ri i Arsimit dhe Shkencës nga radhët e VMRO-DPMNE-së është Pançe Kralev. Ministër i Administratës dhe Shoqërisë administrative mbetet Ivo Ivanovski, si dhe Mile Janakieski, i cili do ta udhëheqë Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve. Ministria e Bujqësisë edhe në këtë përbërje i takon Partisë Socialiste dhe do të vazhdojë ta udhëheqë Lupço Dimovski. Ministër i Punës dhe Politikës Sociale do të jetë Spiro Risteski, i cili deri më tani ishte zëvendës-ministër në këtë resor. Ministra pa resorë mbeten Nexhdet Mustafa, Hadi Nezir dhe Vele Samak.

Prej mbrëmë fillon të rrjedhë  afati 15-ditor i parashikuar me Rregulloren e Kuvendit për votim në Parlament. Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski ende nuk ka sjellë vendim se kur do ta caktojë seancën për zgjedhje të Qeverisë së re.