Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 18:15

Shkup – Pas shumë stërzgjatjeve, mandatari për formimin e qeverisë së re, Nikolla Gruevski, sot në orët e mbrëmjes do t’ia dorëzojë përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, Parlamentit të Maqedonisë. Burime partiake nga VMRO e Gruevskit bëjnë të ditur se, Komiteti Qendrorë i kësaj partie sonte në hotelin Kontinental do të sjellë vendim përfundimtarë rreth kabinetit të ri, ku mandatari Gruevski do të referojë personalisht edhe rreth bisedimeve me BDI-në e Ahmetit. Sipas të gjitha paralajmërimeve pjesa më e madhe e ministrave të VMRO-DPMNE-së do të mbeten në kolltukët qeveritare edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçarë.

BDI, ka vendosur që, me sekretariatin për marrëveshjen e Ohrit, të udhëheq Musa Xhaferi, me Eurointegrimet Teuta Arifi, me ministrinë e drejtësisë, Blerim Bexheti, me atë të Mbrojtjes, Fatmir Besimi, me ministrinë e Ambientit Jetësor, Abdilaqim Ademi, me atë të Ekonomisë Valon Saraçini dhe me ministrinë e pushtetit lokal do të udhëheqë Nevzat Bejta. BDI do udhëheq me Fondin për rrugë, Policinë pyjore dhe Fondin shëndetësor, derisa postet e drejtorëve në MPB, DHP dhe Doganë, mbeten në DPMNE.

Në VMRO tashmë është e qartë se të sigurt janë Zoran Stavreski si ministër i Financave dhe zv/kryeministër për çështje ekonomike me në krye Vlladimir Peshevski. Pozicionet do t’i mbajnë edhe Gordana Jankullovska në MPB dhe Elizabeta Kançevska –Milevska në dikasterin e Kulturës. E mundur është që në pozicionin aktual të mbetet edhe njeriu i parë i MASH-it, Nikolla Todorov. Së fundmi, befasi në opinion ishte lajmi se ambasadori i BE-së, Nikolla Popovski do të ulet në kolltukun e Antonio Milloshoskit, në Ministrinë e Punëve te Jashtme (MPJ).