Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 19:55

Shkup – Lideri i VMRO-së dhe ai i BDI-së, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, i kanë dhënë dorën njëri–tjetrit për qeverinë e re, duke i dhënë kështu fund negociatave disajavësh. Deri në fund të javës, mandatari Gruevski do të dorëzojë përbërjen e re qeveritare deri te Parlamenti.

Portali Lajmeshqip.com, ka marrë vesh nga burimet e veta, se midis dy liderëve nuk ka të nënshkruar marrëveshje, por nuk ka edhe risi të tjera që në disa media, kërkesat e BDI-së u paraqitën si megalomane. Postet e drejtorëve në MPB, DHP dhe Doganë, mbeten në DPMNE. BDI do të udhëheqë me Fondin për rrugë, Policinë pyjore dhe drejtor të dytë në Sigurimin Shëndetësor.

Por, çka përmban në fakt plani politik i dy partnerëve të koalicionit? Kështu, nuk ka kaluar kërkesa e BDI- për pensione të luftëtarëve të UÇK-së, ndërsa rreth rasteve të Hagës, sipas rekomandimeve të Gjykatës së Hagës dhe ndërkombëtarëve, janë marrë vesh për autenticitetin e tyre. Gjuha nuk do jetë si e dytë zyrtare, sikur ka kërkuar BDI. Kryesuesi i Parlamentit nuk do të mund të flasë në gjuhën shqipe, ministrat shqiptarë do të mund të përgjigjen në gjuhën e tyre, nëse deputetët iu drejtohen në gjuhën shqipe.

Nuk ka kaluar as kërkesa e BDI-së që gjykatësit në komunikimin zyrtar të shfrytëzojnë gjuhën shqipe. BDI ka lëshuar pe edhe në parimin e Badenterit në gjykata. Partnerët e koalicionit kanë arritur marrëveshje për precizimin e ligjit për përdorimin e flamujve, sipas vendimit të Gjykatës kushtetuese.

Në komunat ku bashkësitë etnike janë mbi 50 për qind do të mund të përdoren flamujt e bashkësive etnike, por paralelisht me flamurin shtetërorë, që sipas marrëveshjes duhet të jetë 1/3 më e madhe nga flamuri i bashkësisë. Nga marrëveshja midis partnerëve, fiks janë ministritë në krye me Musa Xhaferin, Fatmir Besimin, Abdilaqim Ademin e Teuta Arifin. Ndërsa, te VMRO-DPMNE Gordana Jankullovska, Zoran Stavrevski, Elizabeta Kançevska-Milevska dhe Vlladimir Peshevski. (LajmeShqip.com)