Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 10:12

Shkup – Shkodran Idrizi i akuzuari i parë për rastin “Punëtorët e Mavrovës”, i cili u riatdhesua nga Gjermania, me vendim të Këshillit Penal të Gjykatës Themelore të Shkupit, është lëshuar nga paraburgimi që të mbrohet në liri, me justifikimin se ka kaluar periudha makslimale ligjore e kohëzgjatjes së paraburgimit, e cila arrin dy vjet për veprat penale për të cilat mund të shqiptohet dënim me burgim të përjetshëm.

“Këshilli penal pranë Sektorit për krim të organizuar dhe korrupsion në Gjykatën Themelore Shkupi 1, në lëndën e njohur në opinion si “Punëtorët e Mavrovës”, duke vepruar sipas detyrës zyrtare, në seancë jopublike të mbajtur më 20 prill, mori Vendim me të cilën e shfuqizon masën e paraburgimit për të akuzuarin Shkodran Idrizi dhe caktoi masa parandaluese edhe atë marrje të përkohshme të dokumentit ekzistuese të udhëtimit të lëshuar në emër të të akuzuarit dhe ndalesë për dhënie të dokumentit të ri ose tjetër për kalim të kufirit shtetëror, si dhe i është urdhëruar të akuzuarit Idrizi  çdo të hënë në periudhë prej orës 09:00 deri në orën 12:00 të paraqitet në Gjykatën Themelore Tetovë tek një person i autorizuar zyrtar. Masat parandaluese do të zgjasin derisa ka nevojë, ndërsa më së voni deri në përfundim të plotëfuqishëm të procedurës penale”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Themelore Shkupi – 1 Shkup.