Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 14:40

Shkup – U zhvillua debat i nxehtë në Parlamentin e Maqedonisë lidhur me ndryshimet në ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Interesim më të madh për të debatuar për këto ndryshime kanë shfaqur deputetët e opozitës, si të asaj shqiptare ashtu edhe të asaj maqedonase.

“LSDM nuk do t’i mbështesë ndryshimet në ligjin për gjuhën shqipe, këto ndryshime janë kundërkushtetuese dhe kundër Marrëveshjes së Ohrit. DPMNE-ja, mes interesave shtetërore zgjodhi të mbrojë postin e kushëririt të Nikolla Gruevskit, Sasho Miallkov”, ka thënë nga foltorja e Parlamentit të Maqedonisë, deputetja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska.

Në fillim të seancës, deputetët e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë kanë shpalosur qëndrimin e tyre se nuk do t’i mbështesin ndryshimet e këtij ligji, pasi që me këtë bëhet shkelja e kushtetutës.

Aleksandër Spasenovski, nga VMRO-DPMNE, ka thënë se me ndryshimet e ligjit implementohet Kushtetuta e Maqedonisë, sipas së cilës përdorimi i gjuhës së bashkësive të cilën e flasin mbi njëzet për qind e qytetarëve që nuk janë shumicë në Maqedoni, do të rregullohet me ligj. Sipas tij, këto ndryshime janë në harmoni të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. (LajmeShqip.com)