Lajme Shqip Sunday, 04 September 2011 17:31

Shkup – Në prag të vizitës së eurokomeisarit për zgjerim, Stefan Fyle, të hënën në Shkup, disa gazetarë të medieve maqedonase i janë drejtuar atij me një letër.

Duke shprehur shqetësim për ndërhyrjet e politikës në medie, ata kanë shkruar se në vend nuk mungon liria e medieve por profesionalizmi, ndërsa fajet për këtë gjendje i kanë vetë gazetarët. “Gazetaria e Maqedonisë nuk vuan nga presionet dhe kontrolli i Qeverisë.

Problemi qëndron te një formacion i njerëzve të afërt me partinë ish-komuniste LSDM, të cilët thjeshtë nuk mund ta pranojnë pluralizmin në shoqëri, politikë dhe ekonomi. Mungesa e lirisë së medieve nuk është problemi me të cilin haset gazetaria e Maqedonisë. Problemi më i madh i yni janë standardet profesionale dhe aspiratat e pronarëve të medieve që përmes televizioneve dhe gazetave të tyre të merren vesh me institucionet shtetërore, gjegjësisht të bëjnë pazarllëqe me interesat e tyre lukrative dhe të presin që tu shikohet nëpër gishta për aktet e tyre joligjore”, shkruhet mes të tjerash në letrën ku autorë janë Mirka Veliniovska, Ivona Talevska, Dragan Pavlloviq Llatas, Janko Illkovski, Milenko Nedellkovksi e tjerë.  Më tej ata shkruajnë se Fyle nuk mund të na ndihmojë.

“Ju nuk mund të na ndihmoni. Kjo është beteja jonë profesionale, por ju lutemi mos e bëni të pamundur ta fitojmë këtë betejë” shkruhet në letër. Përpos kritikave të vazhdueshme nga ndërkombëtarët, përmes raporteve të Freedom House, Amnesty International, Human Rights -Ëatch, për presionin e Qeverisë ndaj medieve i cili këtë vit u bë më se i dukshëm, pritet që edhe raporti i ri i Komisionit Evropian të jetë më kritika të ashpra sidomos për ngjarjet e fundit me mbylljen e disa medieve. Euro-komisari Fyle, disa herë gjatë këtij viti kishte deklaruar në Maqedoni liria e medieve nuk guxon të rrezikohet. (LajmeShqip.com)