Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 14:24

Shkup – Mbi 20 gazetarë nga redaksia informative e Televizionit nacional A1, prej sot janë në pushim të dhunshëm njëmujor. Ky vendim është zyrtarizuar nga ana e redaktorëve të këtij mediumi, ndërsa për bazë ka gjendjen e vështirë financiare dhe fatin e paqartë të këtij mediumi nacional, llogaria e të cilit është e bllokuar me mbi 9 milionë euro.

Lajmet e TV A1 prej sot do të zgjasin vetëm 10 minuta dhe ato do t’i bëjnë me nga pesë gazetarë kujdestar në katër ekipe që do të ndërrohen gjatë javës.

Kjo me Televizionin A1 ndodhë vetëm dy ditë pasi që dolën numrat e fundit të gazetave “Koha e Re”, “Shpic” e “Vreme”, me ç’gjë edhe mbi 150 gazetarë ngelën pa punë.

Në muajt vijues, nëse mbyllet A1, në rrugë do mbesin mbi 200 gazetarë. Llogaria e Televizionit A1, sipas llogaritjeve të Prokurorisë, ishte e bllokuar për dy milionë euro, por, sipas llogaritjeve të DHP, borxhi së dyti u zmadhua.

Nga momenti i arritjes së vendimeve të detyruara për pagimin deri te mediumet, Drejtoria për të ardhura publike mundet që menjëherë të kërkojë pagesën. Së pari pritet që t’i marrin mjetet nga llogaritë të cilat ishin të bllokuara me urdhër gjyqësor, por pasi që këto shuma janë larg nga shuma që duhet të paguhet për borxhin, njëra prej mundësive është që DHP t’i konfiskojë pronat e patundura dhe të lëvizshme. (LajmeShqip.com)