Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 19:45

Shkup – Eurokomisari për zgjerim, Shtefan Fyle, të hënën në Shkup u prit nga zëvendëskryeministrat për çështje evropiane, Teuta Arifi dhe ai për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, dhe më pas u takua me kryeministrin Nikolla Gruevskin.

Eurokomisari për zgjerim tha se është optimist dhe pret që deri në fund të vitit të zgjidhet problemi me emrin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë.

“Zgjidhja do të jetë e mirë për vendin, për njerëzit dhe për biznesin. Vendi juaj meriton të jetë pjesë e fotografisë pozitive”, tha eurokomisari për zgjerim në konferencën e sotme për shtyp me kryeministrin Nikolla Gruevski. Jam optimist, theksoi, se deri në fund të vitit do të zgjidhet problemi i madh. Ndjenjë të tillë më jep besimi ndërmjet kryeministrëve Gruevski dhe Papandreu dhe përkushtimi i tyre për zgjidhjn e këtij problemi të komplikuar. I inkurajoj të veprojnë dhe të punojnë sa më tepër të jetë e mundur, në mënyrë që sa më shpejtë të zgjidhet emri”, tha Fyle.

I pyetur nëse zgjidhja e problemit me emrin do të thotë dhe fillim të negociatave të BE-së me Maqedoninë, eurokomisari tha se duhet të pritet raporti që do të kumtohet më 12 tetor, në mënyrë që të shihet nëse vendi, sërish si në vitin 2009 dhe 2010 do të marrë rekomandim për fillim të negociatave.

Ai, si mjaft të rëndësishme në bisedimet me kryeministrin i theksoi reformën e Këshillit gjyqësor dhe gjendjen në mediume dhe tha se dje, në adresë të tij kanë ardhur dy letra për gjendjen me mediumet në Maqedoni. Njëra prej tyre ishte dërguar nga një grup i intelektualëve, ndërsa tjetra nga 17 organizata joqeveritare.

“Të dy letrat janë të rëndësishme dhe kanë të bëjnë me sfidat me të cilat po përballen mediumet, por secili prej tyre i sheh nga klëndvështrimi i ndryshëm”, tha Fyle, dhe shtoi se liria e mediumeve është shumë e rëndësishme. Kryeministri Gruevski bisedimet me eurokomisarin për zgjerim i vlerësoi si të hapura, miqësore dhe kontruktive.

Ai theksoi se pret që më 12 tetor të marrë raport objektiv nga Komisioni evropian për përparimin e vendit dhe shtoi se Komisioni duhet të mbetet i fokusuar në Ballkan dhe të punojë në zgjerimin me vendet nga rajoni në bazë të meritave të tyre.

Kryeministri theksoi se gjatë takimit ka përsëritur se Maqedonia mbetet me raport produktiv dhe konstruktic ndaj çështjes për dallimet rreth emrit me Greqinë në patronatin e Kombeve të Bashkuara në mënyrë që të fitohet zgjidhje e pranueshme e cila nuk do të prekë dinjitetin as të popullit greik e as të atij të Maqedonisë. Gruevski tha se edhe Qeveria e tij do të mbetet e përkushtuar në punë për arritjen e standardeve evropiane, por jo për shkak të BE-së, por edhe për shkak të përmirësimit të standardit të qytetarëve të Maqedonisë. (LajmeShqip.com)