Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 19:24

Shkup – Ekzistojnë shumë dyshime lidhur me financimin e fushatës parazgjedhore të partive politike në Maqedoni, vlerëson organizata “Transparencë Maqedoni” në raportin e saj për muajin qershor. Sipas kësaj organizate, raportet financiare të partive politike, që janë dorëzuar në komisionin për antikorrupsion, nuk përmbajnë shifrat reale për harxhimet e bëra gjatë fushatës.

“Financimi i fushatës, në pjesë të madhe, bëhet përmes kanaleve të dyshimta dhe përmes pagesave kesh, të cilat nuk evidentohen askund. Posaçërisht duhet të sqarohet dedikimi i vërtetë i kredisë bankare që para zgjedhjeve ka ngritur Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, por edhe dallimi prej 204 milion denarëve që paraqitet mes të hyrave dhe shpenzimeve që ka bërë VMRO-DPMNE”, ka thënë Ana Janevska –  Deleva, përfaqësuese e Transparencë Maqedoni.

Në raportin e fundit, Transparencë Maqedoni ka analizuar edhe gjendjen në media dhe ka konstatuar se Qeveria po shkakton kaos në këtë sferë. “Qeveria është faktori kryesor që po thyen rregullat e konkurrencës lojale në tregun medial. Kjo bëhet përmes aplikimit të mjeteve të ndryshme politike, juridike dhe financiare, që në vete përmbajnë edhe elemente të krimit të organizuar”, ka shtuar Janevska – Deleva. Si raste që kërkojnë ndriçim të shpejtë, Transparencë Maqedoni i ka vlerësuar edhe vrasjen e të riut Martin Neshkovski nga ana e policit Igor Spasov dhe arrestimin e ish ministrit të punëve të brendshme, Lube Boshkovski.