Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 11:54

Shkup – Vetëm nga fillimi i vitit, dhjetë punëtorë humbën jetën në vendin e punës. Bilanci i vitit të kaluar tregon se, 44 punëtorë kanë humbur jetën duke punuar. Ky është alarm i mjaftueshëm për institucionet, që të marrin masa plotësuese për zbatimin e Ligjit, për mbrojtje dhe sigurim gjatë punës, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) dhe nga Shoqata për mbrojtje gjatë punës. “Përgjithësisht nuk jemi të kënaqur nga institucionet. Praktika e deritanishme ka treguar se institucionet janë në anën e punëdhënësve. Kur ndodh fatkeqësi, ata, qofshin inspektim, prokurori, organe hetuese, fajtorin e kërkojnë në rrethanat e fatkeqësisë. Asnjëherë fajtori nuk është punëdhënësi ose personi udhëheqës, që nuk kanë marrë masa për mbrojtje të punëtorëve”, thotë Peco Ristevski nga LSM-ja. “Është fakt se ka kompani që investimin në vend pune të sigurt e konsiderojnë për harxhim të panevojshëm, por është koha që të fillojnë edhe ta zbatojnë Ligjin për sigurim dhe mbrojtje gjatë punës, ligj ky i sjellë në vitin 2007. Përderisa në tetor të vitit të kaluar kanë mundur të arsyetohen se nuk janë në gjendje ta zbatojnë vetë, tani nuk kanë më arsyetim, pasi që 21 firma janë të licencuara, që ta kryejnë ne vend të tyre punën”, thotë Lupço Koçovski, referent në Shoqatën për mbrojtje gjatë punës.

Sipas tij, vetëm në rrethana tjera për lëndim eventual mund të konsiderohet se është fajtor vetë punëtori, pasi që nuk i ka zbatuar rregullat. Biznesmenët, nga ana tjetër konsiderojnë se anëtarë të caktuar nga Ligji për sigurim dhe shëndet gjatë punës në mënyrë të panevojshme janë komercializuar dhe ajo ua ka rritur harxhimet. “Kërkohet trajtim i barabartë i të gjitha vendeve të punës, të cilat jo të gjitha janë të nënshtruara rreziqeve të njëjta. Kontabilist dhe punëtor në xeherore, në makina ose ata që punojnë me mekanizim bujqësor, nuk janë të nënshtruar të njëjtave kërcënime për jetë dhe shëndet, por për të gjithë këta punëdhënësi duhet të siguroj masa të njëjta për mbrojtje”, thotë Dimitar Stojanovski, kryetar i organizatës së punëdhënësve. Nga LSM-ja dhe Shoqata për mbrojtje gjatë punës vlerësojnë ndryshe. “Nuk ekzistojnë profesione të sigurta. Atë e dëshmojnë edhe të dhënat e fatkeqësive që kanë ndodhur në vendet e punës. Më shumë prej tyre kanë ndodhur në bujqësi. Të dhënat tregojnë se 37 për qind të fatkeqësive kanë qenë në këtë fushë”, shprehet Koçovski.