Lajme Shqip Thursday, 20 December 2012 12:58

Shkup – Në Gjykatën Penale në Shkup sot është shtyer procesi gjyqësor për rastin “Monstra” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Kërkesa për shtyerjen e procesit është bërë nga ana e avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan që të ndërpritet seanca, me qëllim që të akuzuarit të njihen me provat dhe aktakuzën e ngritur.

“Ata duan të shohin provat me të cilat akuzohen dhe gjoja i disponon si të dëshmi prokuroria dhe se kjo e drejtë e tyre është ligjore”, theksoi për INA një nga avokatët Naser Raufi.  

Procesi gjyqësor u caktua për të vazhduar më 9 dhe 10 janar 2013, ku prokuroria do të shpalos provat e saj.

Procesi gjyqësor për këtë rast po udhëhiqet nga trupi gjyqësor i kryesuar nga gjykatësi Ivica Stefanovski. 

Avokati mbrojtës Naser Raufi deklaroi se edhe më tej qëndron në bindjen e tij se të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc janë të pafajshëm dhe duhet sa më parë të lirohen. 

Ndërkohë, siç mëson agjencia e lajmeve INA, të paraburgosurit lidhur me këtë rast janë ankuar për gjendjen e rëndë dhe mizore në burgjet në Manastir, Prilep dhe Shkup, ku po vuajnë paraburgimin. (INA/LajmeShqip.com)

……………………………………………………………………………

Shkup – Sot në Shkup ka filluar procesi gjyqësor “Monstra” që ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë afër liqenit në Smillkovcë të Shkupit, në prill të këtij viti.

Lidhur me vrasjen e pesë të rinjve maqedon akuzohen gjashtë persona Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdi, Haki Haziri që ndodhen në paraburgim dhe dy të tjerë Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, që ndodhen në arrati.

Të gjithë këta persona ngarkohen me veprën penale terrorizëm. Gjatë ditë së sotme është lexuar aktkakuza ndërsa më pas pritet të filloj edhe dëgjimi i të akuzuarve.

Pala mbrojtëse pretendon se bëhet fjalë për proces të montuar pasi prokuroria aktakuzën e ka ngritur në bazë të përgjimit të telefonave celularë, që, sipas mbrojtjes nuk japin as edhe një dëshmi mbi përfshirjen e të akuzuarve në këtë vepër që kishte shkaktuar tensione ndërentike dhe protesta në Shkup.

Nga BDI-ja, që është pjesë e qeverisë kanë siguruar se procesi gjyqësor do të jetë i drejtë ndërsa për këtë kanë kërkuar edhe mbështetjen e faktorëve ndërkombëtar në vend.(REL/LajmeShqip.com)