Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 06:20

Shkup – Janë bërë gati dy muaj nga ardhja e euroambasadorit të ri në Maqedoni, Piter Sorensen, ndërsa dhe përkundër natyrës së misionit të tij në vend sikur të lë përshtypjen se ai mbetet i mbyllur për opinionin.

Ky është komenti i ekspertëve nga ardhja e Sorensenit në postin e ambasadorit të BE-së i cili mori detyrën e tij më 1 mars si pasardhës i Ervan Fueres. Sipas analistëve, madje qasja tepër e mbyllur e euroambasadorit të ri në vend, nuk jep ndonjë kontribut të veçantë për vendin.

Ndërkaq, sipas tyre, “kjo nuk do të thotë se BE-ja do të ndryshojë apo ka ndryshuar qasjen politike ndaj Maqedonisë”. Sipas analistit Mersel Bilalli në kushte demokratike qasja e tillë e diplomatëve është funksionale, por jo në Maqedoni.

“Këtu  ku kemi kaos, heshtja nuk e ndihmon situatën, por e kundërta le të konstatohet se diçka dhe mund të jetë në rregull”, ka thënë analisti Bilalli duke potencuar se qasja e tij është e karakterit personal, megjithatë vendi ka nevojë për euro-ambasadorë të cilët do të tregojnë një arrogancë të matur, e jo heshtje diplomatike.”

Në kushte të këtilla, Maqedonisë i duhet një diplomat i cili do të tregojë një dozë të arrogancës së matur dhe jo-agresive. Ne kemi pasur ambasadorë të tillë në të kaluarën, si për shembull të SHBA-ve të cilët kanë funksionuar perfekt në Maqedoni”, është shprehur Bilalli. Për ekspertin e politikës së jashtme Stevo Pendarovski është herët të vlerësohet dhe matet efikasiteti i Sorensenit, por sipas tij një gjë është e sigurt, ai nuk do të jetë si Fuere.

”Kjo që deri më tani e ka treguar Sorenseni nuk ka të bëjë me dilemën se a tenton BE të ndryshojë politikën apo qasjen ndaj Maqedonisë, por është çështje e karakterit personal të këtij diplomati. BE-ja me vizitën e fundit të Barosos dhe Fyles i riafirmoi tendencat ndaj Ballkanit, gjegjësisht Maqedonisë. Sorensen këtu është zbatues i urdhrave, ndërsa ne duhet të mësohemi se atë nuk do ta shohim gjithkund si që ishte rasti me Fueren. Ky është person krejtësisht ndryshe dhe kjo shihet nga angazhimet e tij të mëparshme, ajo që ne nuk e shohim nuk do të thotë se nuk e bën punën e tij. Ai ia përcjell ato që ka, Gruevskit, është shumë i mbyllur për opinionin, mirëpo kjo mos ta gënjejë Qeverinë se nuk do të jetë kritik”, ka thënë Pendarovski. Nga ana tjetër drejtoresha e Qendrës për edukim evropian, Lidija Dimova ka theksuar se ndryshe nga Fuere i cili ka ndërtuar standarde të larta në komunikimin me sektorin civil, Sorensen aspak nuk ka komunikuar me to. ”Këtë e potencova edhe në Komision në Parlament, nuk dëshirojmë që Sorensen t’i prishë standardet e komunikimit me OJQ-të të cilët i ka vendosur Fuere. Sa kohë ka që ka ardhur ai nuk ka treguar interesin më të vogël për t’u takuar me sektorin civil. Sfera e vetme në të cilën ai është aktiv është promovimi i aktiviteteve dhe projekteve në të cilat vrapon pas zv/kryeministrit Naumovski dhe flet sa për të thënë diçka. Lirisht mund të them se nëse vazhdon kështu, ne si sektor civil, kushtimisht thënë do të vuajmë për Fueren”, është shprehur Dimovska.

Sa i përket kujdesit apo frikës nga fati i i njëjtë si i Fueres analisti Bilalli, madje ka thënë se nuk është problemi te diplomatët, por problemi qëndron te sistemi jo-demokratik i shtetit.

“Çështja e frikës nga fyerja nuk është thelbi i asaj a do të flet diçka ai apo jo, por është çështja e llojit të regjimit apo kapacitetit demokratik që ka regjimi në një vend. Ai që nuk ka kapacitet demokratik irritohet nga çështjet banale, ndërsa regjimet që kanë demokraci të hapur janë imune ndaj atyre gjërave dhe hapur ulen bisedojnë për problemet e tyre”, ka vlerësuar Mersel Bilalli.