Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 18:51

Shkup – Në pjesën qendrore dhe në sheshin e Shkupit janë vendosur dhe përuruar të shtunën katër përmendore masive në kuadër të projektit “Shkupi 2014”. Përmendoret u vendosën pranë sheshit “Maqedonia”, pranë Urës së Gurit si dhe pranë Parlamentit të Maqedonisë. Në pjesën kryesore të sheshit u vendos përmendorja e Gjorgji Pulevski, një protagonist i historisë maqedonase, ndërsa përmendorja masive e njohur si “Mbrojtësit e Maqedonisë”, që ndërlidhet me ata që luftuan në 2001 përkrahë forcave shtetërore të sigurisë u vendos përballë Parlamentit, në parkun e njohur si “Luftëtarja”. Përmendorja e Kërste Petkov Misirkov, një shkrimtar maqedonas u vendos pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase, ndërsa përmendorja e Dimitrie Çupovski u vendos pranë sheshit në afërsi të Urës së Gurit. Këto janë disa nga përmendoret e projektit “Shkupit 2014”, në kuadër të së cilit janë paraparë mbi 20 përmendore, prej të cilave edhe katër të personaliteve historike shqiptare, por që ende janë në fazën e konkurseve për të zgjedhur autorët e punimit të tyre. Ndërkohë, përmendorja e “Lekës së Madh” është përpunuar dhe i gatshëm për transport nga shkritorja në Itali “Fonderija artistika Ferdinando Marineli” dhe pritet për shkurt kohe të arrijë në Maqedoni. Me këtë vërtetohet fakti se përmendorja e Lekës së madh do të vendohet në sheshin e qytetit shumë pak kohë para zgjedhjeve, me çka kompletohet edhe përralla parazgjedhore për “patriotizmin”, e kryeministrit Nikolla Gruevski. Nga Instituti i inxhinierisë dhe sizmologjisë kanë konfirmuar se garantojnë për stabilitetin e shtyllës por jo edhe për kalin dhe Lekën, pasi që askush nga ata nuk kanë kërkuar që të hetohet tërë përmendorja i cili gjithsej do të jetë i lartë 22 metra. Përmendorja e “Lekës së madh” do të jetë e pasuruar edhe shatërvan, për të cilin shteti harxhoi gjithsej 9,4 milionë euro.

Ndërkohë, vonohet vendosja e përmendoreve shqiptare. Pra, bëhet fjalë për përmendoren e Josif Bagerit e cila duhet të të vendoset afër Teatrit të Vjetër të Shkupit, ajo e Pjetër Bogdanit në parkun “Zhena Borec”, përballë Parlamentit të Maqedonisë dhe përmendorja e Nexhat Agollit do duhet të vendoset në hapësirën mes shëtitores 13 Nëntori dhe sheshit Maqedonia. Ndërkohë, askush nga Komuna Qendër nuk është përgjigjur gazetës në pyetjen deri ku është procedura e vendosjes së përmendoreve të personaliteteve shqiptare që duhet të vendosen në sheshin e Shkupit si pjesë e projektit kontrovers “Shkupi 2014”. Ndryshe, nga radhët e partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim të cilët paralajmëruan se do të vendosin personalitetet shqiptare kanë thënë se informatat i posedon vetëm kjo Komunë, ndërsa sipas tyre janë zgjedhur disa autorë.