Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 19:38

Shkup – Komisioni për verifikim të fakteve, akoma nuk i ka verifikuar deklaratat e 42 akademikëve të ASHAM-it prej të cilëve katër akademikëve, plotësisht do t’u kontrollohen dosjet. Sipas informacioneve jozyrtare mes atyre katër akademikëve ka edhe prej nacionalitetit shqiptar, por nga Komisioni nuk konfirmojnë por as nuk e mohojnë me arsyetimin se nuk janë të autorizuar të japin informacione të tilla.

Kryetari i Komisionit për lustrim Tome Axhiev ka thënë se javën e ardhshme sërish do të ketë seancë për shqyrtimin dhe verifikim e deklaratave të akademikëve nga ASHAM-ja dhe atëherë do të dinë se a do të jenë ndonjëri prej tyre i lustruar.

“Nga e hëna do të realizojmë seancë në të cilën do të shqyrtohen deklaratat e akademikëve. Akoma nuk kemi verifikuar asnjë deklarate, akoma janë në përpunim të dhënat që i kemi për ta”, ka thënë Axhiev.

Ai ka shtuar se kontrollimi i deklaratave të ish dhe funksionarëve aktual udhëhiqet në mënyrë paralele,  ndërsa mu këtë e theksojnë si problem anëtarët e komisionit të cilët janë të propozuar nga ana e opozitës.

Përplasjet mes anëtarëve të komisionit akoma zgjasin. Tani më një muaj dy prej anëtarëve të propozuar nga opozita, Janakie Vitanovski dhe Bllagoja Geshovski e bojkotojnë punën dhe nuk marrin pjesë në seancat, ndërsa arsye për këtë gjë e cekin numri jo realë të deklaratave të kontrolluara për të cilat thonë se nga ish funksionarët janë verifikuar rreth 5.000 në krahasim me deklaratat e funksionarëve aktual që janë 150 në periudhë prej muajit mars të këtij viti.

Edhe Çedomir Damjanovski akuzoi kryetarin Tome Axhiev se nuk ka punuar ligjshëm dhe e keqpërdorë pozitën.  Damjanovski paralajmëronte edhe padi por një ditë pas ndryshoi mendjen dhe vendosi që luftën kundër Axhievit ta udhëheqë nëpër mediume.

Deri më tani, Komisioni për verifikim të fakteve konfirmoi se bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete është ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trndafill Ivanovski i cili ishte i lustruar në prill këtë vit, vetëm dy muaj para pensionimit të tij. Rasti i dyti ishte Sllobodan Ugrinovski, këshilltar i Qytetit të Shkupit  dhe lideri i Lidhjes së Majtë Titiste.

Ai paralajmëroi dorëheqje nga funksioni i tij si këshilltar por, siç tha atëherë, për arsye personale.  Të lustruar ishin edhe ish gjykatësi i Gjykatës Supreme, si dhe dy bartës të listave zgjedhore të zgjedhjeve të fundit nga koalicioni opozitar dhe rasti i fundit me profesorin Vlladimir Millçin i cili zbatoi proces gjyqësor kundër vendimit të Komisionit. (LajmeShqip.com)