Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 16:55

Shkup – Në Shkollën e mesme ndërtimore “Zdravko Cvetkoski” sot ndodhi një tragjedi e madhe. Një nxënës shqiptar u përpoq t’i ndihmojë një nxënësi tjetër – maqedonas, dhe pësoi. Vrasësit do të kapen dhe do të nxirren para drejtësisë, deklaroi sot pasdite në konferencë për shtyp ministri i Arsimit dhe Shkencës, Nikolla TOdorov pas incidentit që ndodhi në këtë shkollë të mesme.

Drejtoresha e shkollës, Dragica Kostadinovska sqaroi se incidenti ndodhi në orën 14, derisa një pjesë e nxënësve ishin vaksinuar nga fruthi.

“Nxënësi Darko Ançev ishte sulmuar nga kryes të panjohur. Në periudhën derisa ka zgjatur incidenti, që zgjati shumë shkurtë – dhjetëra sekonda, sigurimi ka reaguar. Për momentin ka dalë nga vaksinimi tashmë i ndjeri Muhamed Ali Jashari, i cili ka tentuar ta ndihmojë shokun e tij Darko, por për fat të keq ishte sulmuar nga ana e kryesve. Ishte goditur me mjet të fortë. Për momentin reagoi ekipi mjekësor dhe u ndihmoi të dy fëmijëve”, deklaroi Kostadinovska.

Ajo sqaroi se sipas të gjitha gjasave bëhet fjalë për një grup prej katër sulmesve të panjohur.

Nxënësit e shkollës së mesme, të cilët vijonin vitin e tretë, së pari u dërguan në Spitalin e qytetit “8 Shtatori”, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, u transferuan në Qendrën urgjente.

“Edhe përkundër përpjekjeve të mjekëve, Muhamedi, fatkeqësisht, vdiq dhe shpresoj se sulmuesit së shpejti do të kapen dhe dënohen”, deklaroi drejtoresha e shkollës.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski shprehi keqardhje për incidentin që ndodhi në Shkollën e mesme dhe i shprehi ngushëllime familjes së të ndjerit, Muhamed Ali Jashari.

“Qateti i Shkupit, para se të ndodhte ky incident, ndërmori një sërë masash për sigurimin e shkollës. Në këtë shkollë është e angazhuar Agjencia për sigurim, janë vendosur video-kamera për mbikqyrje. Gjithashtu, sipas udhëzimeve të Sektorit për arsim nga Qyteti i Shkupit në të gjitha shkollat ka kujdestari të rregullta të mësimdhënësve edhe nëpër koridore edhe në oborr, por për fat të keq edhe përkundër të gjitha këtyre masave ndodhi kjo tragjedi”, tha Trajanovski.

Në konferencën e sotme për shtyp mori pjesë edhe zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi.

Muhamed Ali Jashari ishte i lindur në vitin 1992 dhe ishte nga Kondova e Shkupit. Ishte djalë i vetëm.