Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 12:10

Shkup – Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni më 6 qershor do t’i kushtojë vendit 6 milion e 650 mijë euro. Kjo ka qenë kostoja financiare të cilën e ka kërkuar Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), nga qeveria, respektivisht nga Ministria e Financave, për realizimin e zgjedhjeve.

Sipas tyre, 1 milion e 200 mijë euro do të jenë të nevojshme vetëm për realizimin e zgjedhjeve në diasporë, praktikë kjo e cila do të jetë për herë të parë.

Ekspertët e çështjeve ekonomike theksojnë se kjo është edhe një çmenduri financiare, të cilën po e realizon Qeveria në kurriz të qytetarëve. Sipas numrit dy të KSHZ-së, Subhi Jakupi, këto zgjedhje do të jenë më të shtrenjtat, të cilat deri më tani janë mbajtur në Maqedoni, nga vetë fakti se janë sjellë disa rregulla të cilat rrisin koston financiare.

“Vetë faktin se në këtë cikël do të ketë të drejtë të votojë edhe diaspora, tregon se këtu duhet të ketë harxhime plotësuese. Këtu është përfshirë dërgimi i 490 personave nga vendi në të tri kontinentet, ku do të mbahen zgjedhjet, pastaj stacionimi i tyre, kthimi, harxhimet për kontaktet me përfaqësuesit dhe diplomacinë e vendeve etj.”, tha Jakupi.

Për ekspertin e këtyre çështjeve, Petrit Pollozhanin, kjo është një ngarkesë e madhe jo vetëm për gjendjen financiare të shtetit, por edhe për mbarë ekonominë e vendit.

“Shuma të cilën e ka kërkuar KSHZ, mendoj se është e lartë dhe e shtrenjtë, sidomos për një shtet siç është Maqedonia, e cila ka një ekonomi tejet të zbehtë. Kjo shumë ka dalë në bazë të raportit të cilin e ka krijuar KSHZ-ja. Por, nuk është shikuar edhe gjendja e vështirë ekonomike e vendit. Ky mos-shfrytëzim racional i mjeteve buxhetore do ta thellojë edhe më tutje krizën”, ka thënë Pollozhani.

I të njëjtit mendim është edhe analisti politik Edmond Ademi, i cili vlerëson se ky është një veprim i palogjikshëm i kësaj qeverie, kur në një kohë të krizës financiare, dhe në mungesë të shumë të dhënave vendoset rregullorja për mbarëvajtjen e zgjedhjeve edhe në diasporë.

“Është një kosto super e lartë, e cila duhet të harxhohet për gjithë ciklin zgjedhor në vend e, sidomos, për tre deputetët e diasporës”, ka shtuar Ademi.

Ndryshe, sipas KSHZ, shpenzimet maksimale që ka arritur ndonjë cikël zgjedhor në Maqedoni kanë qenë deri në 4 milionë euro.