Lajme Shqip Saturday, 06 August 2011 16:13

Shkup – Lideri i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni, Branko Crvenkovski, ka kundërshtuar sërish vendimin e Parlamentit të Maqedonisë, i cili më 19 korrik miratoi interpretimin autentik të ligjit për amnisti, me çka mbylli rastet e Hagës që ngarkonin me akuza ish-pjesëtarë të UÇK-së.

“Para syve të publikut maqedonas u tregua se të vetëquajturit ‘patriotë të mëdhenj’, kur është fjala për t’i mbajtur kolltuqet dhe pushtetin, janë të gatshëm të rishikojnë Marrëveshjen Kornizë dhe, akoma më keq, për amnistimin e krimeve kundër njerëzimit – diçka që është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe principet”, ka thënë Cërvenkovski për gazetën “Utrinski Vesnik”.

Duke aluduar në Gruevskin, ai është shprehur se trimi më i madh pas “Aleksandrit të Madh” u fsheh pas deputetëve të cilët i përdori si mish për top. Cërvenkovski ka shtuar se partia të cilën e drejton dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me partitë shqiptare, por se partia shqiptare BDI “për arsye të panjohura po luan rolin e avokatit të VMRO-DPMNE-së”. (LajmeShqip.com)