Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 17:54

Shkup – Zëvendësministri i deritanishëm i Punëve të Brendshme, Xhevat Buçi të shtunën në Ministrinë e Punëve të Brendshme zyrtarisht ia dorëzoi detyrën zëvendësministrit të ri të Punëve të Brendshme Xhelal Bajrami.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bajrami theksoi se do të angazhohet nga ky pozicion në mënyrë konsekuente dhe në përgjithësi të zbatohet sistemi kushtetues i Republikës së Maqedonisë dhe për luftë joselektive kundër krimit dhe korrupsionit. “Do të angazhohem që qytetarët e Republikës të Maqedonisë,  pa dallim të përkatësisë etnike, policinë ta ndjejnë si të afërt dhe shpresoj se do të kemi sukses”, ka thënë Bajrami. Buçi duke i dëshiruar punë të suksesshme Bajramit, si detyra të realizuara me suksese gjatë mandatit të tij përmendi zgjedhjet e mbajtura presidencial dhe lokale, si dhe zgjedhjet e parakohshme  parlamentare në 2011, të cilat kanë kaluar pa incidente, si dhe reformat e zbatuara  në MPB, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me karrierën profesionale për të punësuarit në këtë institucion.

Në pyetjen e gazetarëve nëse ndërrimi i tij ka të bëjë me incidentin  në Kalanë e Shkupit, Buçi ka thënë se nuk beson se ky është shkaku për ndërrimin e tij për shkak se siç nënvizoi, “te kryetari i BDI Ali Ahmeti ka besim dhe në të ardhmen do ta ketë atë”.

“Intervenimi  im në rastin Kala mendoj se duhet edhe në të ardhmen  të studiohet dhe është moment mjaft konstruktiv që nuk mundet shkurt të sqarohet. Parandaluam incident i cili mund të kishte mjaft pasoja të këqija dhe detyrimisht  duhej në atë mënyrë  të intervenohet. Jam krenar që arrita  ta parandaloj një konflikt të madh të mundshëm”, ka thënë në pranim-dorëzimn e sotëm të funksionit të zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Xhevat Buçi. (LajmeShqip.com)