Lajme Shqip Saturday, 09 April 2011 21:32

Shkup – Athina dhe Shkupi janë duke zhvilluar bisedime të fshehta për emrin, por jo në nivel zyrtar institucional, por me ndërmjetësimin e emisarëve të fshehtë.

Duke iu referuar shkrimit të së përditshmes greke, mediet e Shkupit shkruajnë se përfaqësues nga ana greke janë ish drejtori i rafinerisë OKTA në Shkup, biznesmeni Emanuel Malelis Manoli dhe Aleks Rondos, bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit George Papandreu. Nga pala maqedonase, ndërkaq, mësohet se janë të përfshirë vëllezërit Mijallkov, dy kushërinj të afërt të kryeministrit Nikolla Gruevski.

Iniciator i këtyre bisedimeve, që tashmë kanë arritur në një fazë bukur të largët, janë ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman, kurse për Maqedoninë si opsione janë paraqitur emrat e rinj Maqedonia Veriore, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia e Epërme. Ndërkohë, nga Qeveria e Maqedonisë kanë demantuar shkrimet e tilla.

“I përgënjeshtrojmë në tërrësi shkrimet e tilla në media, për gjoja ekzistimin e bisedimeve të fshehta rreth çështjes së emrit. Ato të dhëna janë krejtësisht të pa vërteta. Janë konstrukcione të ashpra me prapavijë politike që t’i ndihmohet dikujt tjetër, e jo shtetit. Potencojmë se asnjë personalitet në emër të qeverisë së Maqedonisë nuk është dhe nuk do të jetë i përfshirë në negociata të fshehta,

rreth kësaj çështje. Ndërsa, korniza e vetme ku zhvillohen ato bisedime për këtë çështje janë Kombet e Bashkuara (KB), përmes shërbimeve të ndërmjetësit Metju Nimic”, thuhet në reagimin e qeverisë së Maqedonisë. Ndërmjetës Metju Nimitz deri tash ka mbajtur dsa takime me përfaqësuesit e dy palëve dhe ka dhënë disa propozime.

Përndryshe, bisedimet për gjetjen e zgjidhjes së konfliktit të Athinës dhe Shkupit rreth emrit kanë filluar menjëherë pas pavarësimit të Maqedonisë nga ish-federata jugosllave, në vitin 1992.