Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 19:27

Shkup – Bashkëpunimi i mirë midis Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Organizatës gjermane për Ndihmë rajonale, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, u potencua në takimin e realizuar ndërmjet ministrit të Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta dhe përfaqësuesit të GIZ për Zhvillim Ekonomik rajonal në Maqedoni Jens Adler. Ministri Bejta, siç thuhet në kumtesën e Ministrisë së Vetëqeverisjes  Lokale ka thënë se bashkëpunimi i mirë shkon në interes të gjithë qytetarëve.

“Do t’i vizitoj të gjitha qendrat për zhvillim rajonal, për të t’u njohur me problematikat dhe nevojat e këtyre qendrave”, ka thënë Bejta, i cili gjithashtu kërkoi nga Adler që në të ardhmen të gjitha  broshurat, fletushkat si dhe strategjia zhvillimore e hartuar nga ana e tyre të botohen edhe në gjuhën shqipe.

Përfaqësuesi i GIZ Jens Adler u dakordua që materialet në të ardhmen të jenë edhe në gjuhën shqipe. Ai e informoi ministrin Bejta për aktivitetin e kësaj organizate në Maqedoni dhe për të arriturat e deritanishme. Të dyja palët u morën vesh që sa më shpejt të realizohet edhe një takim, ku do të diskutohet për planet dhe për projektet që do të realizohen në të ardhmen. (LajmeShqip.com)