Lajme Shqip Monday, 15 August 2011 20:28

Shkup – Maqedonia i ka përmbushur kriteret themelore për anëtarësim në NATO dhe është partner i respektuar në shumë operacione të Aleancës. NATO është aleancë e vlerave të përbashkëta. Por, opozita greke ndaj Maqedonisë nuk i ndan këto vlera dhe për këtë SHBA dhe BE duhet ta shfrytëzojnë ndikimin e tyre dhe t’i bëjnë presion Greqisë.

Këtë e bëri të ditur ish-eurodeputetja gjermane dhe kryesues aktual i Rrjetit parlamentar për parandalimin e konflikteve nga Instituti “East/West”, Angelika Beer në intervistën për emisionin “Porta” në TVM. Beer është decide se çështja bilaterale lidhur me mosmarrëveshjet rreth emrit kushtetues nuk duhet të jetë pengesë për inkuadrimin e Maqedonisë në NATO. “Ka vendim të KB-së prej vitit 1995 se Greqia nuk mund ta bllokoj Maqedoninë të bëhet anëtare e institucioneve ndërkombëtare dhe aleancës.

Megjithatë, janë vendosur linja të kuqe në të dyja palët. Për Greqinë në të vërtetë bëhet fjalë për krenarinë dhe pranimin  e minoritetit maqedonas në suaza të shtetit të saj. Për shumicën e maqedonasve, megjithatë, ndryshimi i emrit është i papranueshëm. Qeveritë e dy shteteve duhet të dakordohen dhe menjëherë ta zgjedhin këtë çështje në suaza të KB-së”, ka thënë Beer.

Në lidhje me 10-vjetorin nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, ajo vlerëson se me atë i është dhënë fund krizës në Maqedoni dhe rritjen e të drejtave të shqiptarëve dhe se nuk ka nevojë për përmirësim në dokument. Marrëveshja, thotë,  është arritur nën presion të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së dhe NATO-s që të ndërpritet konflikti në Maqedoni. Sipas saj, disa parime nga Marrëveshja  mund të shfrytëzohen, por në tërësi ajo nuk mund të jetë model  për zgjidhjen e të drejtave të minoriteteve nga vendet tjera, pasi situata  në Maqedoni është e vetme dhe nuk mund të bartet si përvojë në shtete tjera.

Beer e komentoi edhe deklaratën e liderit të  BDI-së Ali Ahmeti se nuk mund të garantoj siguri për Maqedoninë nëse vjen deri te ndarja e Kosovës. Vlerëson se nuk është e mundur të vjen deri në luftë të re, gjegjësisht deri te krijimi i hartës së re gjeopolitike të Ballkanit. “Asnjë situatë në 20 vitet e fundit në Ballkan nuk krahasohet njëra me tjetrën. Maqedonia nuk është Kosovë. Kroacia nuk është Bosnjë dhe 1999 nuk ishte si 2001.

Edhe pse nuk di saktë se çka ka thënë Ali Ahmeti, paralajmërimi i tij është me vlerësim të përgjithshëm. E ndaj mendimin me Ahmetin se nuk duhet të merret parasysh asnjë ndryshim i kufijve. Rezultati nuk mund të parashikohet, e as reagimet e njerëzve të përfshirë në kërkesën apo dëshirën e njëjtë. Kjo në të vërtetë mund të çojë deri në trazira apo reagime të pakontrolluara”, thekson Beer. (LajmeShqip.com)