Lajme Shqip Sunday, 03 July 2011 16:37

Shkup – Negociatat midis dy partive fituese, VMRO dhe BDI nga mbrëmja e të shtunës janë në bllokadë totale. Një funksionar i lartë i BDI-së për “Lajmeshqip.com” zbulon se partia e tyre kërkon Byronë për Siguri Publike, plus vendin e drejtorit për të Ardhura Publike ose Doganën. Nëse VMRO nuk lëshon pe lidhur me këto poste, funksionar i lartë i partisë së Ahmetit thekson se BDI do t’i braktis negociatat. Do të fitojë ose jo BDI postet e drejtorëve në polici, mbetet të shikohet. Dhe, nëse Gruevski do lëshojë pe lidhur me këto kërkesa të BDI-së, do të bëhet më e qartë nëse do ta formojë qeverinë, ose për të mirën e shtetit përsëri të nënshkruajë zgjedhje fer dhe demokratike që do të mbaheshin në muajin nëntor. VMRO-DPMNE kërkon që kuadrot shqiptare të jenë në poste më të favorshme në sektore dhe nivele tjera të MPB-së, por nuk dëshiron të lëshojë kryesimin e këtyre drejtorive. Dy partitë pritet që nesër të zhbllokojnë negociatat dhe të gjejnë ndonjë kompromis për të kompletuar marrëveshjen e koalicionit, që parimisht është arritur midis dy partive dhe po udhëhiqen negociatat midis grupeve negociatore partiake. Bile, nga BDI, kanë paralajmëruar se do të marrin post drejtorësh, që deri tani nuk ishin pjesë e partive shqiptare. Sipas burimeve partiake, Ahmeti ka prognozuar në pozicionet e drejtorëve të Fondit për shëndetësi, pyjet e Maqedonisë, Fondit për rrugë dhe doganën. Jo zyrtarisht, për drejtor të Fondit nga BDI do të ishte propozuar ministri i deritanishëm i Shëndetësisë Bujar Osmani. VMRO-DPMNE deri tani nuk pranon ofertën dhe kërkesën e hapur akoma nga BDI që të nënshkruhet Marrëveshje prioritare për zgjidhjen e kërkesave, një marrëveshje e stilit të asaj të “Majit të vitit 2007” të arritur mes BDI dhe VMRO, ku zotohej kryerja e disa detyrimeve nga ana e VMRO-DPMNE, e cila kishte në koalicion PDSH-në. Marrëveshja e BDI-së përfshin mbylljen e rasteve të Hagës përmes interpretimit të Ligjit për amnisti nga ana e Parlamentit, zgjidhja e statusit të UÇK-së, fonde të barabarta zhvillimore dhe investime për zonat shqiptare si dhe projekte tjera.