Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 06:55

Shkup – Një pjesë e madhe e komunitetit boshnjak kanë refuzuar të koalicionojnë me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI). Nga atje vijnë zërat se nuk do ti japin votën partisë së Ahmetit edhe përkundër koalicionimit me Ligën Demokratike të Boshnjakëve. Komuniteti boshnjak ka arritur koalicion me VMRO-DPMNE dhe në anën tjetër me LSDM-në opozitare. Por një parti minore boshnjake ditëve të fundit ka lidhur një koalicion edhe me BDI-në.

Partia e Aksionit Demokratik e udhëhequr nga Avdija Pepiq është deputet i deritanishëm dhe pjesë e listës së koalicionit me VMRO-DPMNE, që do të garojë edhe në këto zgjedhje. Ndërkohë, pranë LSDM janë përfshirë emra të mirënjohur të komunitetit boshnjak dhe të partive tjera minore, ku ndër të tjera është kandidatura e gazetarit të njohur të TV A1, Safet Bishevac në njësinë e parë zgjedhore në kuadër të koalicionit me LSDM-në. Siç mëson madje “Lajmeshqip”, mbrëmjen e të shtunës ka dështuar një takim i disa zyrtarëve të lartë të BDI-së që kishin shkuar në fshatin Lubosh të Karshiakës, ku ata nuk ishin pritur gati se nga asnjë përfaqësues i fshatit dhe boshnjakëve të kësaj ane, pasi që ata tashmë kanë kandidatët e tyre të radhitur në koalicionet me dy partitë më të mëdha maqedonase.