Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 19:18

Shkup – Polemikat mes pushtetit dhe opozitës për përbërjen e re të Komitetit për marrëdhënie ndëretnike në Parlamentin e Maqedonisë janë shndërruar në diskurs të ashpër në Komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime.

“Halë në sy” ka qenë kandidatura e ish gazetarit dhe deputetit aktual Safet Bishevac të propozuar nga LSDM pas arritjes së marrëveshjes me VMRO-DPMNE që raporti te pakicat të jetë 3 me 2. Deputetët shqiptarë edhe njëherë kanë përsëritur qëndrimet e tyre rreth raportit tek anëtarët shqiptarë.

BDI ka përsëritur se nuk ka vullnet politik që ky raport të jetë 4 me 3 siç kërkon PDSH. Për shkak të mosmarrëveshjeve të këtilla seanca Komisionit është ndërprerë dhe do të vazhdoj derisa të gjendet një zgjidhje adekuate e cila do të tejkalonte mosmarrëveshjet mes partive politike.

“Propozimi i LSDM ishte Safet Bishevac për të cilin ne gjatë zgjedhjeve kemi akuzuar se është kandidat i Velija Ramkovskit kurse LSDM-ja së paku 5 herë theksoi se është kandidat i Ligës së boshnjakëve dhe dokumentet të cilat u dorëzuan deri në KSHZ ishin me emrin Liga e boshnjakëve”, ka thënë Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

“Unë nuk jam gazetar i Velija Ramkovksit, unë kam punuar ne medium në pronësi të Velija Ramkovskit. Nëse kjo sipas jush nënkupton se jam gazetar personal ai është problemi i juaj”, ka thënë deputeti i pavarur Safet Bishevac.“Kjo nuk ndodh në asnjë demokraci , atëherë keni zgjedhje tjetër, zgjidhni komitet sipas dëshirës suaj”, ka thënë nga ana tjetër, deputeti i LSDM-së Emilijan  Stankoviq. (LajmeShqip.com)