Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 12:27

Shkup – Shefi i Shtabit zgjedhor i BDI-së Abdilaqim Ademi sot deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor i dorëzoi listat partiake me kandidatë për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Bartës i listës së kandidatëve në njësinë e parë zgjedhore është Izet Mexhiti, në të dytën Ermira Memeti, në të tretën Bujar Osmani, në të pestën Arben Llabënishti, ndërsa në të gjashtën lideri i partisë Ali Ahmeti.

“BDI-ja në këto zgjedhje del me platformë bashkuaese, e jo me platformë e cila ndan, me platformë e cila faktorizon, ndërsa nuk majorizon. Jemi të bindur se kandidatët e tonë janë reflektim i këtij përcaktimi e cila padyshim e prek çdo shqiptar në Maqedoni sot”, deklaroi pas dërgimit të listave Ermira Mehmeti nga BDI-ja.

Për këtë arsye, siç shtoi, në këto zgjedhje BDI-ja me moton “së bashku më të fuqishëm, së bashku më të guximshëm, së bashku jemi më të suksesshëm dhe së bashku hapërojmë drejt qëllimit”.

“Deri sa rivalët e tanë veçmë u prononcuan se janë të organizuar kundër BDI-së, ne duam t’i njoftojmë të gjithë se jemi për shqiptarët. Asnjëherë as që kemi qenë, e as që jemi të organizuar kundër kujtdo qoftë. Për këtë arsye u bëjmë thirrje shqiptarëve që në këto zgjedhje të votojnë për, e jo kundër”, tha Mehmeti.

Ajo shtoi se do të punojnë në mënyrë ekipore dhe me përkushtim drejt qëllimit të tyre të përbashkët, ndërsa ajo është bashkim i votave drejt një ideje dhe drejt një opsioni veçmë të dëshmuar.