Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 19:00

Shkup – Debati parlamentarë, ku po diskutohet për ndryshimet në ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, ka vijuar me akuza të rënda midis BDI-së dhe partive opozitare PDSH-së dhe RDK-së.

Fjalimi i deputetes së BDI-së, Ermira Mehmeti, në të cilin ajo akuzoi partinë e Thaçit se ka përgatitur komplote për vrasjen e shqiptarëve në qershor të vitit 2008, shkaktoi reagime të ashpra të deputetëve të kësaj partie, të cilët kërkuan praninë e kryeministrit, Nikolla Gruevski, në seancën plenare. Me këtë rast, deputetët e PDSH-së kanë uzurpuar foltoren e Parlamentit, duke pamundësuar zhvillimin e më tejmë të seancës.
“Akuzat e Mehmetit janë serioze, prandaj kërkoj në emër të grupit parlamentar të PDSH-së, që të vjen kryeministri Gruveski dhe të shpjegon se për çfarë skenari bëhet fjalë”, ka theksuar deputeti i PDSH-së, Imer Aliu, i cili kërkoi një orë pauzë me qëllim që të sigurohet prezenca e kryeministrit.

Interesim më ta madh për të debatuar për këto ndryshime kanë shfaqur deputetët e opozitës, si të asaj shqiptare ashtu edhe të asaj maqedonase. “LSDM nuk do të mbështesë ndryshimet në ligjin për gjuhën shqipe, këto ndryshime janë kundër-kushtetuese dhe kundër Marrëveshjes së Ohrit. DPMNE-ja, mes interesave shtetërore zgjodhi të mbrojë postin e kushëririt, të Nikolla Gruevskit, Sasho Miallkov”, ka thënë deputetja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska.

Në fillim të seancës, deputetët e LSDM-së kanë shpalosur qëndrimin e tyre se nuk do të mbështesin ndryshimet e këtij ligji pasi që me këtë bëhet shkelja e kushtetutës.

Madje, Aleksandër Spasenovski, nga VMRO-DPMNE-ja, në fjalimin e tij ka thënë se me ndryshimet e ligjit implementohet kushtetuta e Maqedonisë, sipas të cilës përdorimi i gjuhës së bashkësive të cilën e flasin mbi njëzet për qind e qytetarëve që nuk janë shumicë në Maqedoni do të rregullohet me ligj. Sipas tij këto ndryshime janë në harmoni të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike në republikën e Maqedonisë.