Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 20:52

Shkup – Askush nuk dëshiron të ulet në karrigen e liderit dhe të zëvendësojë Imer Selmanin, ish-drejtuesin e Demokracisë së Re (DR), të paktën asnjë prej figurave që kanë qenë bashkëthemelues të kësaj partie.

Ndërkaq, Selmani nuk dihet se ku është, pohojnë ish-bashkëpartiakët e tij që i kanë humbur kontaktet me të që prej zgjedhjeve. Partisë i kanë dhënë afat 100 ditë. Kohë i ka dhënë vetes edhe lideri që e çoi partinë në disfatë, edhe pse është e pamundur që të kontaktohet as përmes telefonit.

Mungesën e DR-së në opinion drejtuesi Kastriot Haxhirexha e pohon me një periudhë pritjeje. “Për momentin, mendojmë që është e moralshme, e ndershme që të priten të kalojnë 100 ditët e para të Qeverisë dhe më pas do të shohim nëse ka vend për të kritikuar dhe me siguri që do të ketë dhe përsëri do të shprehim vërejtjet apo mendimet tona rreth partive politike që participojnë në Qeveri”, ka thënë Haxhirexha.

Ai ka thënë se Kongresi i partisë do të mbahet në fund të këtij viti dhe nga ku do të dalë edhe kryetari legjitim i partisë. Se kush do të jenë ato anëtarë që do të kandidojnë, Haxhirexha nuk e di. Përjashton vetveten, por nuk e përjashton mundësinë e kandidimit të ish-liderit Selmani.

“Nuk e di, të gjitha mundësitë janë të hapura dhe gjithsecili anëtar i DR-së mundet të kandidohet për kryetar, apo post tjetër. Mundet të ketë edhe anëtar të rinj. Tani për tani, personalisht nuk mendoj që të kandidoj pasi kam shumë obligime të tjera që më duken më prioritare”, ka thënë më tej Haxhirexha.

Partia që ai drejton, sipas tij, vazhdon të funksionojë si subjekt politik, ndërkohë që në ditët e para të shtatorit do të organizohet edhe mbledhja e parë të Kryesisë, në të cilën do të debatohet për disa pika – kërkesa që iu bënë disa prej komisioneve të partisë, kur Selmani dha dorëheqjen e parevokueshme.

“Do të vazhdojmë ashtu si deri tani, me zgjidhjen e halleve dhe problemeve të shqiptarëve”, ka thënë Haxhirexha. Nga lista e kandidatëve potencial për kryetar partie nuk është as Bastri Bajrami, ndërsa kontaktet me partinë i ka humbur edhe Flora Kadriu, ish-deputetja dhe anëtarja më e ekspozuar në media e partisë si dhe Abedin Zymberi.

Ndryshe para zgjedhjeve iku edhe deputeti Sulejman Rushiti, ndërsa shumë pëpara tij edhe Besim Dogani. Kreu i saj Imer Selmani dha dorëheqje menjëherë pas zgjedhjeve të 5 qershorit pasi DR nuk mori asnjë deputet. (LajmeShqip.com)