Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 07:36

Shkup – Dy pjesëtarë të policisë së Maqedonisë janë arrestuar të shtunën me dyshimin për përfshirjen e tyre rrjetin e trafikimit të drogës. MPB-ja ka zbardhur identitetin e policëve të cilët janë Nusret Dervishi dhe Fatmir Hajdari të cilët akuzohen se janë pjesë e grupit 11 anëtarësh, prej të cilëve dhe një polic, që dy ditë më parë u kapën në kuadër të operacionit rajonal policor “Besa”, për organizim të trafikimit të lëndëve narkotike. Në këtë operacion u kapën 10 kg drogë heroinë në një makinë me targa bullgare që kishte si destinacion Greqinë dhe më pas tregun evropian. Sipas MPB-së, tre pjesëtarët e policisë, po ndihmonin rrjetin e trafikantëve për trafikimin e lëndëve narkotike. Dy prej të cilëve janë arrestuar të shtunën kanë punuar në sportelet e kontrollit të pasaportave në pikën e kalimit kufitar Bllacë. Ndaj grupit të ndaluar mes tyre edhe një shtetas bullgar është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Në operacionin e koduar “Besa” të policisë së Maqedonisë në bashkëpunim me policinë bullgare mbrëmjen e të premtes janë arrestuar 11 veta, anëtarë të një grupi ndërkombëtar të trafikimit me lëndë narkotike. Në këtë operacion të realizuar në bashkëveprim edhe me Interpolin janë kapur 10 kg drogë heroinë të cilësisë së lartë, që ishte pjesë e kanaleve të kontrabandës Turqi-Greqi-Maqedoni, dhe që ishte dedikuar për tregun evropian. Droga ishte zbuluar në një makinë të tipit “Reno Laguna” që drejtohej nga 26 vjeçar G.M.,nga Petriçi i Bullgarisë, derisa po hynte në Maqedoni përmes vendkalimin kufitar “Dojrani i Vjetër”. Gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur 20 pako me drogë me paketime nga 500 gramë heroinë. Gjithashtu është arrestuar edhe një i punësuar në burgun e Idrizovës si dhe një person i dënuar në këtë burg, i cili gjatë vikendeve shoqërohej dhe bashkë organizonte aktivitetet e trafikimit të drogës. Me urdhër të gjykatës janë kryer bastisje dhe kontrolle në disa shtëpi tek 16 shtetas të dyshuar në Shkup dhe Veles. Organet policore po vazhdojnë hetimet në bashkëveprim me policitë e rajonit për të zbardhur rrjetin e organizuar të trafikimit të drogës.