Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 20:12

Shkup – Propozim-ligji për përdorimin e gjuhës shqipe dhe interpretimi autentik i ligjit të amnistisë kanë shkaktuar të enjten debate të ashpra midis partive rivale maqedonase dhe atyre shqiptare. Interpretimi autentik i ligjit për amnisti ka marrë dritën jeshile nga Komisioni ligjvënës-juridik në Parlament, ndërsa atë e kanë votuar vetëm deputetët e VMRO-së dhe BDI-së, por jo edhe opozita.

Bekim Fazliu, nga PDSH, ka përkujtuar se një ligj të tillë identik para një viti e më shumë ka ngritur edhe partia e tij, por VMRO deri më tani nuk ka dashur ta vë në rend dite.

“Me këtë pazar politik, BDI bëhet peng i DPMNE-së dhe fillon një mandat i cili do jetë i keq për shqiptarët dhe BDI kërkon që të mbyllen rastet e Hagës vetëm që të shpëtojnë vetveten”, ka thënë Fazliu.

Ndërkaq, Talat Xhaferi ka konstatuar se nëse PDSH do të mendonte për shqiptarët, ajo do t’i mbyllte rastet e Hagës derisa ishte në qeveri.

Nga ana tjetër, partia e Branko Cërvenkovskit ka akuzuar partinë maqedonase në pushtet, VMRO, se po bën shkeljen e kushtetutës, duke mos respektuar procedurat parlamentare për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Opozita maqedonase ka kërkuar, madje që propozim-ligji të tërhiqet nga procedura parlamentare dhe të vendohet me procedurë të rregullt.

“Kur Gruveski dhe Ahmeti dëshirojnë të fshehin diçka nga opinioni, përfaqësuesit e qeverisë nuk janë prezentë në institucionin ligjdhënës. Sot këtu ka një të vërtetë, VMRO-DPMNE mes shtetit, kushtetutës ka zgjedhur postet kolltukët”, ka thënë Radmilla Sheqerinska, gjatë debatit në komisionin parlamentarë të sistemit politik.

Nga ana tjetër, Aleksandër Nikollovski nga VMRO-DPMNE-ja, në fjalimin e tij ka thënë se me ndryshimet e reja të ligjit për gjuhët nuk do të çrregullohet sistemi shoqërorë në Maqedoni përveç se siç tha se “ministrat do të kenë të drejtë të flasin në gjuhën shqipe”.

“Është e tmerrshme kjo që e bëni ju, me këtë patriotizëm të rrejshëm pasi që kjo nuk do të ndikojë në rritjen e rejtingut të LSDM-së e as në zvogëlimin e asaj të VMRO-së. Një ish-kryeministër kuadër i LSDM-së, bashkëpunonte me një banda kriminale me qëllim të përfitimeve personale”, ka thënë Nikollovski.

Ndërkohë, deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Izet Zeqiri, ka thënë se këto janë vetëm ndryshime teknike, të cilat aspak nuk do ta avancojnë përdorimin e gjuhës shqipe dhe kërkoi që e njëjta të jetë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë. (LajmeShqip.com)