Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 09:15

Shkup – Vendimi i Parlamentit të Maqedonisë për interpretim autentik të nenit 1 të Ligjit për amnisti, me të cilin mbyllen rastet e Hagës, duhet të vlejë dhe për Ibrahim Sulejmanin nga Tetova, i cili është dënuar me 15 vjet burg nën akuzën “Krim lufte kundër popullatës civile” dhe “Aktivitete përgatitore për terrorizëm”, kanë thënë familjarët.

Sulejmani është i vetmi person që mbahet në burg nën akuzën për krime lufte. Familjarët e Ibrahim Sulejmanit, i cili vuan dënimin në burgun e Idrizovës që nga viti 2004 presin që ai të dalë nga burgu dhe për të vlejnë ligjet si për çdo qytetar të Maqedonisë. “Ky ligj duhet të vlejë dhe për vëllain tim”, ka thënë Kadri Sulejmani, vëllai i Ibrahim Sulejmanit. Gjykimi i Ibrahim Sulejmani u bë fshehtazi, me një akt vendim gjyqësor të bazuar mbi interpretimin e dyshimtë të ligjeve. Kundër këtij lloji të gjykimit janë deklaruar edhe Komiteti i Helsinkit dhe Avokati i popullit. Pas vendimit gjyqësor, familjarët e Ibrahim Sulejmanit, disa herë kanë protestuar dhe kanë kërkuar drejtësi. Ekspertët e çështjeve juridike thonë se padrejtësia që i është bërë të riut Ibrahim Sulejmani, duhet ndrequr përmes përsëritjes së procedurës gjyqësore, ku interpretimi autentik i ligjit për amnisti do të shërbente si një fakt i ri dhe vendimtar. Sipas tyre edhe Ibrahim Sulejmani duhet liruar nga dënimi me burg, mirëpo, meqenëse interpretimi autentik i ligjit për amnisti ka fuqi prapavepruese, vetëm ndaj rasteve të pagjykuara, atëherë duhet përmes përsëritjes së procedurës gjyqësore të arrihet te ndreqja e kësaj padrejtësie, me ç’rast ky interpretim autentik do të shërbente  si një fakt i ri dhe vendimtar. Në të kundërtën, pohojnë ekspertët, “rasti i Sulejmanit do të mbetej një sinonim i absurditetit dhe i zbatimit selektiv të drejtësisë në vend”.