Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 15:28

Shkup – Që nga dorëheqja e dy anëtarëve shqiptarë të redaksisë së re, Ramiz Abdyli dhe akademik, Alajdin Abazi, hartimi i Enciklopedisë së re të Maqedonisë ka mbetur në vendnumëro. Pra, redaksia e re nuk ka mbajtur asnjë mbledhje në lidhje me këtë çështje. Bile, dy anëtarët shqiptarë që dhanë dorëheqje nuk janë zëvendësuar me anëtarë të rinj. “Lajmeshqip.com” mëson se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë  (ASHASH), do të ndihmojë që shqiptarët të trajtohen ashtu siç duhet në Enciklopedi dhe fyerjet dhe mashtrimet historike të pranishme në botimin e parë të Enciklopedisë të mos përsëriten. Burime të sigurta, brenda Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) bëjnë të ditur se me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë kanë arritur një marrëveshje në të cilën ndër të tjera një vend të veçantë zë edhe Enciklopedia. Marrëveshja mes akademive do të nënshkruhet në Ohër në gjysmën e dytë të muajit gusht, ose në fillim të muajit shtator nga kryetari i ASHAM-it, akademik Georgi Stardelov dhe kryetari i ASHASH-së, akademik Gudar Beqiraj. Akademikët shqiptarë dhe analistët mendojnë se redaksia e re u formua vetëm për të qetësuar situatën dhe jo për të hartuar enciklopedinë e re. Në shtator të vitit 2009 ASHAM-i botoi “Enciklopedinë maqedonase”, vepër kjo e mbushur me fyerje dhe të pavërteta për shqiptarët. Pastaj Akademia e shpalli si të pavlefshme atë, edhe pse ajo ende vazhdon të shitet. U formua redaksia e re për hartimin e Enciklopedisë së re, mirëpo për hartimin e saj nuk u ndanë mjete financiare.(Lajmeshqip.com)