Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 12:03

Shkup (PLOTËSUAR 14:02) – Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka paralajmëruar të mërkurën se do të bojkotojë manifestimet që lidhen me 20-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë. Ajo ka bërë të ditur se nuk është kundër manifestimeve të datave të ndryshme që përkujtojnë evenimente shtetërore te rëndësishme, siç është dita e 8 Shtatorit, por është “kundër manifestimeve që simbolizojnë nënshtrim, diskriminim dhe margjinalizim të shqiptarëve në Maqedoni”.

Sipas deputetit të PDSH-së, Bekim Fazliu, 20 vjet Maqedonia e pavarur, krahas realitetit që ekziston këtu, arriti të ndërtohet si shtet ku shqiptarët si element kryesor shtetformues të ngelin të përjashtuar nga shtetëformësia, të ngelin të përjashtuar nga hisja që u takon.

“Shqiptarët janë të diskriminuar e të margjinalizuar në jetën politike (gjuha shqipe ende nuk është zyrtare, flamuri është 3 herë më i vogël se i maqedonasve edhe atë vetëm për përdorim lokal, shqiptarët janë të përjashtuar nga vendimmarrjet, të pa ërfaqësuar drejtë nëpër institucione), në atë ekonomike (shqiptarët mbushin 50 për qind të buxhetit të shtetit a shfrytëzojnë deri në 2 për qind të atij buxheti), në gjyqësi, arsim, shëndetësi, kulturë (ku kohëve të fundit qeveria harxhon shuma marramendëse të parave për projekte monoetnike dhe monofetare, që janë shumë tendencioze për shqiptaret siç është projekti Shkupi 2014) dhe në gjitha sferat tjera shqiptarët 20 vjet nga pavarësia, ngelen të diskriminuar dhe të margjinalizuar… Andaj, duke pasur parasysh këto, PDSH do të bojkotojë çdo manifestim për 20-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë”, ka thënë deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu.

Sipas tij, me këtë përfundimisht do të sqarohet një dilemë, e cila është aktuale në opinion prej vitit 2009, kur qeveria VMRO-BDI solli projektin “Shkupi 2014”. (LajmeShqip.com)

********************************

Shkup – Zv/kryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, ka thënë se shqiptarët do të shënojnë 20-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë, aq sa maqedonasit e festojnë dhe ndjejnë Marrëveshjen e Ohrit.

Xhaferi, në një brifing me gazetarë i është kundërpërgjigjur kryeministrit Gruevskit, i cili në konferencën e zhvilluar dy ditë më parë, për 10-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit deklaroi se maqedonasit e respektojnë Marrëveshjen e Ohrit, por nuk e festojnë atë.

“Pas fjalimit të kryeministrit Gruevski se maqedonasit e respektojnë Marrëveshjen e Ohrit, por nuk e festojnë, do të thosha se edhe shqiptarët e respektojnë pavarësinë e këtij vendi, por nuk e shënojnë”, theksoi Musa Xhaferi.

Pronocimi i kryeministrit Gruevski ishte se një marrëveshje e tillë do të mund të arrihej përmes dialogut demokratik, në rast se do të iniciohej në mënyrë adekuate.

“Te memoriet e maqedonasit, kjo marrëveshje do të mbetet si një dokument i cili u nënshkrua me anë të ‘presioneve’, që të bën të ndjehesh jo mirë në momentet kur bisedohet për këtë. Jam thellë i bindur se deri te një marrëveshje e tillë mundej të arrihej përmes mjeteve demokratike dhe debat në Parlamentin e Maqedonisë, në rast se do të ngrihej iniciativë. A duhet të implemetohet MO-ja, përgjigja është po”, ka thënë Gruevski, duke shtuar se forma se si erdhi deri te kjo marrëveshje, janë arsyet se pse maqedonasit nuk janë shumë të disponuar që ta festojnë, edhe pse e respektojnë.

I pyetur se si do të marrë pjesë BDI në shënimin e 20- vjetorit të pavarësisë së vendit, zv/kryeministri Xhaferi theksoi se kjo do të varet nga protokolli i Qeverisë. “Ajo që është pjesë e protokollit për funksionarët dhe institucionet nuk ka dilema se do të respektohet, ashtu siç ishte shembulli që presidenti i vendit Gjorgje Ivanov të hapë konferencën për shënimin e 10-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë zv/kryeministri Musa Xhaferi. (LajmeShqip.com)