Lajme Shqip Friday, 09 September 2011 08:29

Shkup – Njëzet vjet pas pavarësimit të Maqedonisë, statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve mbetet i njëjtë, kurse bërthamën e veprimit monoetnik të palës politike maqedonase nuk arriti ta ndryshojë as Marrëveshja kornizë e Ohrit (MKO).

Kështu janë shprehur analistë dhe ish-anëtarë të partisë së parë shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), duke komentuar të arriturat shqiptare deri më sot dhe manifestimin  grandioz Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë.

Por, ndryshe mendohet për periudhën prej vitit 2001, kur edhe u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, e ku pjesën më të madhe të pushtetit e ka drejtuar partia pjesëmarrëse në qeveri, BDI.  Sikur se është e ditur, shqiptarët atëherë bojkotuan referendumin e 8 shtatorit, në vitin 1991, ku shumica e qytetarëve u deklaruan për pavarësimin e vendit nga ish-federata jugosllave. Ata më pas, më 11 dhe 12 janar të vitit 1992 organizuan referendum të veçantë për shprehjen e vullnetit përmes deklarimit gjithëpopullor si një kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të faktorit politik maqedonas.

Sipas zv/kryeministrit Musa Xhaferi, dihen rrethanat në të cilat u krijua kushtetuta e 90-shit ku u shpall pavarësia, “në atë eufori u bë një gabim dhe nuk u përfshinë shqiptarët”.  Sipas tij, ai moment ka shkaktuar kriza të njëpasnjëshme që kulmuan në vitin 2001.

”Më pas, me nënshkrimin e MO-së u bënë ndryshime në Kushtetutë, u avancuan të drejtat e shqiptarëve dhe filloi një epokë e re për to, me rregullim dhe korrigjim ligjor të padrejtësive të bëra ndaj tyre. Për shkak të rrethanave në të cilat ka kaluar Maqedonia, kanë ekzistuar vështirësi në harmonizimin e kërkesave shqiptare, por nga 2001-shi, me MO-në e cila u nënshkrua edhe nga ndërkombëtarët, gjërat ndryshuan“, ka thënë zv/kryeministri për implementim të MO-së, Musa Xhaferi.

Ndërkohë, ish-deputeti në Parlamentin e Maqedonisë Hysni  Shaqiri ka thënë se Maqedonia edhe pas 20 viteve vazhdon me politikën e vjetër të ndërtimit të shtetit, me kontribute dhe karakteristika të një shteti nacional, monoetnik maqedonas. “Shembull më evident është projekti Shkupi,  ndërsa jemi dëshmitarë dhe për probleme të tjera në arsim apo në punësimin e shqiptarëve, ku diskriminimi në baza etnike është mëse i dukshëm”, ka thënë ish-deputeti Hisni Shaqiri.

Sipas tij, vlera e Marrëveshjes së Ohrit qëndron në atë se e ndaloi luftën, por nuk arriti të avancojë pozitën e shqiptarëve. “Edhe pas 2001-shit, statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve mbetet i njëjtë, ata konsiderohen si popull i dytë. Nuk kanë perspektivë shqiptarët në këtë vend andaj marrin rrugën e kurbetit. Për këtë arsye, është gabim të kremtohet Dita e Pavarësisë nga shqiptarët, sepse ata në këtë shtet, nuk llogariten të barabartë me maqedonasit “, ka thënë Shaqiri.

Ish-deputeti i PPD-së, Mersel Bilalli, ka thënë se nuk dëshiron të shpërndajë pesimizëm, por me sa duket struktura menaxhuese shqiptare akoma nuk ka ide cilat janë interesat kruciale të elektoratit të saj.

“Edhe pas këtyre viteve, gjithë kohën harxhon energji për çështje jo të dorës së dytë, por të dorës së dhjetë, ndërsa aspekti i zhvillimit ekonomik të shqiptarëve është lënë pas dore. Patriotizëm është kur të kishim arritur progres ekonomik” , ka thënë ish-anëtari i PPD-së, Mersel Bilalli. Sipas tij, pas 2001-shit, pas MO-së, nëse ka pasur ndryshime ao shumë pak mund të vërehen, sidomos aktualisht kur pala shqiptare legjitimon politika antishqiptare dhe diktaturën e asaj maqedonase.

“Është vështirë të jepet një vlerësim i thjeshtë i të arriturave të shqiptarëve gjatë këtyre viteve. Nëse e analizojmë sa shqiptarët janë të lumtur për realizimin e kërkesave dhe ambicieve të tyre, mund të themi se nuk jemi shumë optimistë. Por, nuk duhet nënçmuar dhe atë që realisht është arritur me shumë sakrifica dhe mund”, ka thënë nga ana tjetër, analisti Ibrahim Mehmeti.

Sipas tij, në vitet e para pas pavarësimit, pala politike maqedonase nuk kishte aspak mirëkuptim ndaj kërkesave të shqiptareve dhe ata nënkuptoheshin si një sulm ndaj tyre e jo kërkesë për barabarësi.

“Kjo mund të quhet si një periudhë shumë e vështirë, me mosmarrëveshje dhe mungesë gatishmërie për kompromise dhe sollën konfliktin e 2001-shit, ku dhe ndërkombëtarët u bindën për nevojën reale që ekzistonte te shqiptarët për të drejta dhe se nuk bëhej fjalë për ndonjë lojë politike”, ka thënë analisti Mehmeti.

Sipas tij, pas MO-së ndryshuan gjërat në aspektin teknik, por jo në thelb. ”Ndryshuan shumë ligje dhe raporte, por ajo që mbetet e parealizuar është ndryshimi i botëkuptimeve në raportet ndëretnike dhe mungon jetësimi i frymës së MO-së, e cila nënkupton një qasje ndryshe të zgjidhjes së konflikteve”, ka thënë Mehmeti. (LajmeShqip.com)