Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 16:05

Shkup – Nesër mbushen 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit me të cilën iu dha fundi konfliktit në vitin 2001 dhe u vendos korniza për bashkëjetesën ndëretnike dhe perspektivën euroatlantike të shtetit.

Marrëveshja e Ohrit edhe pas një dekade e gëzon mbështetjen nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga pjesët më të mëdha të partive nga blloku politik maqedonas dhe shqiptar, si korniza e vetme për zhvillim të shtetit. Zakonisht Ambasada e SHBA-së dhe misionet e BE-së, NATO-s dhe OSBE-së në vend çdo vit prononcohen për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

Në kuadër të shënimit të një dekade nga Marrëveshja e Ohrit, ngjarja qendrore është konferenca dyditore që sot dhe nesër do të mbahet në Ohër, në organizim të Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIOFA).

Konferencën do ta hapë presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, ndërsa fjalim do të ketë edhe zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferi.

Në forumin dyditor do të marrin pjesë përfaqësues të rëndësishëm vendor dhe ndërkombëtar. Në sesionin e titulluar “Historia, zbatimi dhe arritjet e lidhura për Marrëveshjen e Ohrit” do të marrin pjesë Filip Riker, në cilësinë e zëvendës-nënsekretarit shtetëror të Kombeve të bashkuara të Amerikës dhe lehtësuesit e Marrëveshjes së Ohrit Xhejms Perdju dhe Alen Le Roa, i cili për momentin e kryen funksionin nënsekretar i përgjithshëm për operacione paqesore në Kombet të Bashkuara.

Me tribunën me aktorët kyç në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit do të kryesojë zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, ndërsa krahas Perdjus, Piter Fejth, i cili është përfaqësues i posaçëm i BE-së dhe përfaqësues civil ndërkombëtar për Kosovën dhe Ali Ahmeti si kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, parti e cila doli pas konfliktit në vitin 2001.

Në temën “Evaulimi i Marrëveshjes së Ohrit” në ditën e dytë konferencës pritet të flasin ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski, Piter Sorensen, udhëheqës i Delegacionit evropian në Republikën e Maqedonisë, Ralf Bret, udhëheqës i misionit të OSBE-së në Republikën e Maqedonisë, Brajan Ageler si u.d. ambasador i SHBA-së në Maqedoni dhe ambasadori britanik Kristofer Ivon.

“Hapat dhe pritjet e ardhshme” do të jetë titulli i fundit në të cilin kryesisht do të debatojnë ekspertë vendor dhe të huaj. Midis të cilëve, të paralajmëruar janë Daniel Server, ekspert dhe ligjërues akademik amerikan për menaxhment konfliktuoz, kryetari i Komitetit për marrëdhënie midis bashkësive në Republikën e Maqedonisë dhe Abdilaqim Ademi, ministër aktual i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësiror dhe ish-zëvendëskryetar i Qeverisë i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Zëvendëskryeministri i obliguar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit e arriti qëllimin, e ktheu paqen, hap mundësi të gjithë të marrin pjesë në krijimin e jetës politike dhe shoqërore, ndërsa në Kushtetutë ka amendamente me të cilat nuk lejohet të diskriminohen bashkësitë etnike.

Sipas tij, 10 vjet pas nënshkrimit të saj, gjendja është shumë e përmirësuar dhe ka parakushte për, siç tha, të ecet me dinamikë më të mirë përpara.

“Jam i kënaqur nga ajo se si hapeshin perspektivat nga i gjithë procesi politik i cili është i ndërlikuar, nuk është i thjeshtë dhe nuk mund të matet lehtë nëse ishte i zhvilluar në mënyrë optimale ose me sukses deri më tani”, shtoi Xhaferi.

Në pyetjen pse përfaqësuesit shqiptarë nga pushteti edhe pas dhjetë vjetëve nuk shkojnë në shënimin e ngjarjeve në Karpallak dhe Lubeten gjatë konfliktit të vitit 2001, ai tha se ato plagë nuk është lehtë të shërohen, por konsideron se përfaqësues të partive politike dhe të institucioneve tani kanë inkurajim më të madh që të përballen me ato ngjarje.

Në një intervistë për “Dojçe velen”, ish-zëvendës-sekretar i përgjithshëm për operacione të NATO-s, Xhejms Perdju tha se Marrëveshja e Ohrit e ka lëvizur Maqedoninë përpara drejt demokracisë së plotë, të drejta të qytetarëve dhe njohje të identitetit kulturor dhe etnik të njerëzve në vend. Unë jam shumë i kënaqur për shkak të zbatimit të marrëveshjes. Është arritur një përparim i madh. Ishte e vështirë të negociohet, por ishte shumë më vështirë të zbatohet dhe kjo është ajo që është e rëndësishme.

Xhejms Perdju, në vitin 2001, si “lehtësues” në negociatat midis palës maqedonase dhe shqiptare mori pjesë në krijimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Në lidhje me kritika të caktuara të cilat janë shfaqur në vitet e fundit në vend për vetë esencën e marrëveshjes, se ajo jo vetëm që nuk zbatohet, por se nuk është një instrument i mirë për mbrojtje të të drejtave etnike të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera etnike, Perdju me një qëndrim se parimet bazë të dokumentit të Ohrit – demokracia, të drejtat e barabarta të qytetarëve dhe njohja e identitetit kulturor të qytetarëve të ndryshëm në vend – janë realizuar në një masë të madhe.

Sipas tij, shqetësuese është ajo se Maqedonia ende nuk është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, por shpreson se do të tejkalohet konteksti me Greqinë dhe se vendi do të përfshihet në rajonin e mbetur në anëtarësimin euroatlantik.

Për atë se në çfarë mase është zbatuar deri më tani Marrëveshja e Ohrit dhe vlerësimet e njërit nga nënshkruesit dhe ish-kryeministri Lubço Georgievski, se “marrëveshja është realizuar pothuajse 90 për qind, ndërsa në disa kapituj është edhe i tejkaluar”, ish-lehtësuesi thotë se nuk do të flet për përqindje.

“Nuk e di nëse 90 për qind është e saktë, nuk e di nëse disa përqindje janë të sakta. Por, mund të themi se parimet e Marrëveshjes së Ohrit janë miratuar – të drejtat e barabarta dhe njohja e kulturave. A është kjo e përkryer? Jo, jo nuk është e përkryer. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit ishte një problem i madh, në këtë pikëpamje kjo është diku në mes. Por, megjithatë, Maqedonia fiton vlerësime të mira për shkak të gjallërimit të Marrëveshjes së Ohrit”, thekson Perdju.

Ai nënvizon se Marrëveshja e Ohrit paraqet model për tejkalimin e konflikteve etnike edhe në rajone tjera të krizës në botë.

“Në fakt, Marrëveshja e Ohrit veçmë është shfrytëzuar jo si dokument detyrues, por si model, të cilin të tjerët e shfrytëzojnë në zona të tjera. Mendoj se Marti Ahtisari e shfrytëzoi Marrëveshjen e Ohrit për parimet e tij për Kosovën. Konsideroj se ai është aplikuar me siguri edhe në rajone tjera. Është bërë me të vërtetë një punë e mirë në njohjen e të drejtave dhe privilegjeve të pakicës”, vlerëson Perdju.

Marrëveshja e Ohrit është e përfunduar, thotë ai, i pyetur për koment për qëndrimet e disa liderëve të partive politike dhe politikanëve relevantë shqiptarë në vend se marrëveshja duhet të zgjerohet me një korpus të ri të kërkesave etnike shqiptare.

“Në të vërtetë, Marrëveshja e Ohrit është përfunduar dhe tani i mbetet qytetarëve të Maqedonisë që të punojnë në çështjet, të cilat janë jashtë saj. Kur them “e përfunduar”, mendoj se nuk do të hapet për debate të sërishme dhe se kjo çështje është në duart e maqedonasve dhe të shqiptarëve etnikë, që të zgjidhet”, është decid Xhejms Perdju, njëri nga lehtësuesit në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit

Fransoa Leotar. i cili në vitin 2011 ishte i dërguar i BE-së si “lehtësuesi” i saj, në një intervistë për MIA-n për herë të parë flet për atë periudhë dhe thekson se Marrëveshja e Ohrit dhe atë që e ka bërë gjatë mandatit të tij në Maqedoni është një nga sukseset më të mëdha në karrierën e tij politike. Marrëveshja e Ohrit ishte vepër e përbashkët, potencoi ai, duke vlerësuar se ishte sukses i shkëlqyeshëm i bashkimit Evropian dhe për herë të parë diplomacia e vërtetë evropiane erdhi në shprehje.

“Në situatën çfarë ndodhemi sot, kur monedha e përbashktë evropiane është e rrezikuar, duhet të përkujtohemi se evropianët gjithmonë, kur kanë shfaqur interes që të zgjidhin ndonjë problem, kanë mundur ta bëjnë këtë. Edhe atë nga tre shkaqe: kemi ushtarë, kem i para dhe kemi diplomatë”, thotë mes tjerash Leotar.

Leotar konsideron se me Marrëveshjen e Ohrit mbisundoi urtësia në Maqedoni, gjegjësisht se personat udhëheqës, madje ata të cilët kanë qenë të plotësuar me urrejtje ndaj bashkësisë kundërshtuese, kanë kuptuar se lancimi i ideve për ndarje të territorit, që ka qenë rast në momentin kur ka ardhur në Maqedoni, paraqet qorrsokak.

“Pajtohuni mes jush, respektojeni fqiun tuaj pa dallim të fesë apo fytyrës së tij. Besoni në të ardhmen e Maqedonisë dhe tregoni se edhe pse nuk i njihni politikanët aktualë, besoni në suksesin e tyre ekonomik dhe social dhe në identitetin e tyre kombëtar”, është një nga mesazhet e Leotarit”, të dhëna në intervistë.

Më shumë se 130 ligje, ndryshime ligjore dhe plotësime janë miratuar në 10 vitet e fundit nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, nga të cilët pjesa më e madhe – 59 janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të barabartë, 40 janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Ky është konkluzioni i njërës nga 19-të studimet të prezantuara në publikimin e Qendrës për bashkëpunim ndërkombëtar të Maqedonisë, në të cilën ofrohet shqyrtim gjithëpërfshirës i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Autori i studimit Fisnik Shabani vlerëson se institucionet shtetërore akoma nuk posedojnë dhe nuk mbajnë evidencë se sa ligje janë ndryshuar ose plotësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit ose nuk kanë qenë mjaft kooperative lidhur me të.

Marrëveshja e Ohrit, më 13 gusht të vitit 2001, pas harmonizimeve disaditore në Ohër, u nënshkrua në Shkup nga presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i VMRO-DPMNE, Lubço Georgievski dhe liderët e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, të PDSH-së Arbën Xhaferi dhe të PPD-së, Imer Imeri. Në cilësinë e garantuesve u nënshkruan edhe përfaqësuesit specialë të BE-së dhe të SHBA-së, Fransoa Letoar dhe Xhejms Perdju. (LajmeShqip.com)