Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 15:30

Shkup – Niveli i sigurisë së qytetarëve të Maqedonisë, është nën çdo standard. Prindërit i dërgojnë fëmijët në shkollë për të mësuar, ndërsa ua kthejnë në arkivol. Krejt kjo është pasojë e një shteti me institucione pa qasje serioze për të luftuar kundër delikuencës apo kriminalitetit. Është ky komenti i njohësve të sferës së arsimit, ku si reagim pason pas rastit të fundit të vrasjes së nxënësit shqiptar nga Kodova e Shkupit, Muhamet Jashari, në shkollën e mesme “Zdravko Cvetkovski” në Shkup.

“Me institucione të politizuara, me institucione të partizuara, me institucione ku në fakt janë nën diktatin e politikës, nuk mundet të tregohet një qasje serioze në luftë për pengimin e këtij lloji të kriminaliteti”, ka thënë profesori Afrim Osmani.

“Me paraqitjen e kriminalitetit te të rinjtë, delikuenca e të miturve është në rritje në Maqedoni. Kjo vjen për arsyen se institucionet shtetërore, në veçanti policia por edhe gjykatat, nuk munden të tregojnë një qasje serioze për luftimin e këtij lloji të kriminalitetit. Delikuenca e të miturve apo kriminaliteti i të miturve, veprat penale nga të miturit, siç e kishim edhe disa raste të fundit, dëshmon në atë se Republika e Maqedonisë, është ende jo e gatshme për një luftë më të organizuar apo të koordinuar kundër kriminalitetit në përgjithësi”, shtuar më tej Osmani, njëherësh ekspert i të drejtës penale.

Sipas Osmanit që të evitohet çdo dhunë e mundshme nëpër institucionet shkollore, është e nevojshme që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të jetë pjesëmarrës direkt në çdo institucion shkollor.

“Si masë preventive për parandalimin e këtij lloji të kriminalitetit, pra të delikuencës të të miturve, së pari duhet që në veçanti MPB-ja, të merr masa preventive duke e siguruar atë me vetë prezencën nëpër institucione, apo nëpër qendrat shkollore, aty ku më së tepërmi dyshohet se aty më së tepërmi kriminaliteti është më i përhapur”, ka thënë ai.

Të dhënat e MPB-së flasin për shifra alarmante për sa i përket dhunës nëpër shkolla. Vetëm gjatë muajit janar, janë shënuar 13 raste dhunë nëpër shkolla, ndërsa gjatë gjithë vitit 2010, numri i përgjithshëm i incidenteve ndërmjet nxënësve ka qenë diku 48.