Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 12:30

Shërbimi Sekret në SHBA është duke hetuar spekulimet se disa prej agjentëve të tij paguan për striptiste dhe prostituta, përpara një vizite të presidenti Obama në El Salvador në 2011-n.

I njëjti shërbim është përfshirë në një tjetër skandal seksual, gjatë detyrës në Kolumbi. Kongresmeni demokrat, Elijah Cummings, deklaroi se drejtori i Shërbimit Sekret nuk ka zbuluar ende ndonjë provë të besueshme.

Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, strukturë paralele me CIA-n, përdori një gjuhë të ngjashme ndërsa deklaroi për “Associated Press”: “Çdo informacion që do të sigurohet dhe do të gjykohet si i besueshëm do të ndiqet në mënyrë të përshtatshme nga shërbimi ynë”.

Aktualisht, tetë agjentë kanë lënë shërbimin dhe disa të tjerë janë në hetim, pasi u vërtetua se ata kishin paguar deri 20 gra, të cilat besohen se janë prostituta, për shërbime seksuale në një hotel në Kartagjenë, Kolumbi.

Agjentët ishin pjesë e stafit që parapërgatiti vizitën e Obamës në samitin e vendeve të Amerikës, zhvilluar më parë gjatë prillit.