Lajme Shqip Friday, 26 July 2013 15:40

Shkup – Shkupi e shënon 50-vjetorin nga tërmeti katastrofik i 26 korrikut të vitit 1963 ku humbën jetën 1.070 persona dhe u lënduan 3.000 të tjerë.
Në ditën e tërmetit, 26 korrik shënimi do të fillojë në orën 10 me vendosjen e luleve në varrezat e qytetit në Butel, para përmendores të viktimave të tërmetit. Pastaj do të vijojë aksioni i dhurimit të gjakut, aksion ky tradicional i Kryqit të Kuq të qytetit të Shkupit.

Programi zyrtar për 26 korrikun do të fillojë në orën 19 me lexim poetik “Për Shkupin me dashuri” para muzeut të qytetit të Shkupit. Në hapësirat e muzeut në orën 20 do të hapet ekspozita “26 korrik 1963”, ndërsa qyteti i Shkupit të gjitha vendeve të cilat pas katastrofës së madhe e treguan solidaritetin dhe dërguan ndihmë do t’ju ndajë mirënjohje.

Në sheshin “Maqedonia” në orën 21:30 do të fillojë projekti multimedial “Shkupi përkujtohet” ndërsa Filarmonia e Maqedonisë, aktorë dhe anëtarë të operës dhe baletit të Maqedonisë përmes performancave do të transmetojnë tregime për dashuri, guxim dhe solidaritet tregime nga tërmeti i Shkupit, raporton INA.

Do të ketë edhe kinema nën qiell të hapur, ekspozitë udhëtuese ndërkombëtare “Show your hope”, maratonë filmike 24 orëshe me projeksione filmike falas të megahiteve botërore…

Në shënimin e 50 vjetorit të tërmetit në Shkup pritet të arrijnë kryetarë të komunave dhe përfaqëues nga Lubjana, Zagrebi, Tirana, Drezdeni, Nirnbergu, Nançangu…

Çfarë i ndodhi Shkupit më 26 korrik 1963

Tërmeti katastrofik në Shkup ndodhi më 26 korrik të vitit 1963 në orën 05:17 minuta, ndërsa dridhje më të vogla kishte deri në orën 05:43. Nga tërmeti u shkatërruan 15 800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28 000 të tjera. Mbi 200.000 persona mbetën pa kulm mbi kokë.

Mënjëherë pas katastrofës, Kombet e Bashkuara morën aktivitete që në mënyrë të planifikuar dhe afatgjatë ta ndihmojnë qytetin e shkatërruar. Në kohën kur ekipe profesioniste nga KB-ja filluan të arrijnë në Shkup, në selinë e Organizatës ndërkombëtare është thënë se Shkupi do të jetë përmendore e solidaritetit njerëzor. Më 23 shtator të vitit 1963, 35 vende kërkuan Asambleja e përgjithshme të vendosë në rend dite të seancës së saj pikë për ndërmarrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup. Pas katër ditëve, më 27 shtator, Asambleja e Përgjithshme i dha prioritet aksionit ndërkombëtar për dhënie ndihmë Shkupit.