Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 19:44

 

Bukuresht – Ministri i jashtëm i Rumanisë, Titus Corlatean, sot në Bukuresht është takuar me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Farid Zarif, me ç’rast është biseduar për këtë mision, pas arritjes së Marrëveshjes për normalizim ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Ministria e jashtme e Rumanisë ka njoftuar se në takim është shqyrtuar edhe zhvillimi i dialogut Beograd – Prishtinë, gjatë muajve të fundit, zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Ministri Corlatean ka theksuar interesin e Rumanisë për stabilizimin e përhershëm të rajonit, për eliminimin e shkaqeve të mosmarrëveshjeve dhe për reforma, të cilat mund të kontribuojnë në realizimin e kritereve në raport me BE-në.
“Perspektiva evropiane është stimulim i fuqishëm dhe mobilizues për të gjithë aktorët rajonalë”, tha ministri rumun.
Shefi i UNMIK-ut, Fardi Zarif, e ka përshëndetur “kontributin e rëndësishëm” të Rumanisë në stabilizimin e rajonit dhe për misionin ndërkombëtar në Kosovë.