Lajme Shqip Saturday, 08 August 2015 11:46

Në Shtetet e Bashkuara është verifikuar episodi i radhës kur një agjent vret një të ri afro-amerikan të çarmatosur pas një zënke.

Këtë herë ngjarja ka ndodhur në Teksas, një vit nga vrasja po nga një polic e Michael Brown në Ferguson, një ngjarje që përçau Amerikën dhe rihapi debatin mbi racizmin.

Policia e lokalitetit Arlington, në Teksas, ka nisur hetimet mbi rastin për të verifikuar nëse agjenti Brad Miller ka përdorur forcë të tepruar. Agjenti është pezulluar përkohësisht nga detyra.

“Hetimet do të jenë të thella dhe transparente. Komuniteti e meriton këtë”, deklaroi rreshteri Paul Rodriguez i departamentit lokal të policisë.

Ai nënvizoi se, 19-vjeçari i vrarë dyshohej për një vjedhje dhe reagimi i armatosur i oficerit erdhi pas një zënke mes tyre.

Djaloshi afro-amerikan, i identifikuar me emrin Christian Taylor, kishte vërsuluar makinën e tij ndaj vitrinës së një konçesionari automjetesh.

Agjentët i ishin përgjigjur një sinjalizimi për grabitje dhe kur mbërritën në vendin e ngjarjes panë automjetin e 19-vjeçarit që kishte shkatërruar vitrinën.

Ata u afruan dhe pas një përballjeje me Taylor njëri prej tyre hapi zjarr. Taylor ishte një lojtar futbolli në një universitet të Teksasit.