Lajme Shqip Saturday, 29 September 2012 13:46

Washington – Ndihmës/sekretari i Departamentit të Shtetit, Philip Gordon deklaroi se SHBA-ja përkrah gatishmërinë e qeverisë së se në Beograd për vazhdim të dialogut me Prishtinën në nivel të lartë politik dhe vlerësoi se marrëdhëniet me Kosovën janë kyçe për eurointegrimet e Serbisë. Ai tha se është e domosdoshme të tejkalohen dallimet e dukshme sa i përket veriut të Kosovës, duke porositur se Amerika mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“SHBA-ja përshëndet gatishmërinë e qeverisë së re në Beograd për të vazhduar dialogun me Prishtinën dhe për të zbatuar marrëveshjet e arritura më parë nga qeveria paraprake”, deklaroi Gordon.

Në konferencë për gazetarë, ndihmës/sekretari Gordon, tha se Ballkani ishte një nga temat me rëndësi gjatë aktiviteteve diplomatike të zyrtarëve amerikanë në margjinat e sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke përfshirë edhe takimet me liderë të shumtë ballanikë dhe partnerët evropianë.

“Kemi përsëritur disa herë që Evropa nuk mund të jetë integrale derisa të mos përfundojë edhe integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe ne fuqimisht përkrahim këtë cak. Ky ishte aspekt kyç edhe i bisedimeve që sekretarja e shtetit, Hillary Clinton pati në bisedë me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton. Pjesë kyçe e kësaj është edhe përkrahja jonë e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe dialogut”, tha Gordon.

“Zbatimi marrëveshjeve të arritura është ajo që tash presim nga qeveria serbe, të cilën e thërrasim që të punojë me ne dhe me Bashkimin Evropian për sa i përket raporteve me Kosovën, gjë që është kyçe për rrugën e të dy vendeve drejt BE-së”, tha pastaj ai.

Mirëpo, për të arritur përparim është e domosdoshme të tejkalohen dallimet e dukshme sa i përket veriut të Kosovës, porositi zyrtari i lartë amerikan, duke theksuar që Amerika mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Besojmë që qeveria e Kosovës është e përkushtuar në respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe ato të serbëve në veri, të objekteve kulturore e fetare serbe dhe një nivel të rëndësishëm të vetëqeverisjes së serbëve që jetojnë në Kosovë. Edhe për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE është e domosdoshme që kjo të pranohet”, porositi Gordon qeveritarët serbë. (LajmeShqip.com)