Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 07:50

Uashington – SHBA-ja nuk do të dërgojë forca të saj tokësore në Libi, por nuk e përjashton mundësinë që të fillojë t’i furnizojnë me armë kryengritësit libianë, njoftuan mediat amerikane.

“Presidenti Barak Obama që nga fillimi i operacioneve qartë bëri të ditur se nuk do të ketë ushtarë amerikanë në territorin libian. Kemi përfaqësues civil në Bengazi i cili mban kontakte me liderët e opozitës dhe Këshillin e kalimtar kombëtar”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Marko Touner, duke e komentuar vendimin e Londrës që të dërgojë këshilltarë ushtarakë në Bengazi.

Touner sërish paralajmëroi se Uashingtoni edhe më tej e lë të hapur mundësinë që t’i armatosë kryengritësit të cilët luftojnë me forcat e liderit libian Moamer Gadafi.

“Nëse flasim për armatosjen e kryengritësve, ky variant nuk përjashtohet. Të gjitha variantet janë në lojë”, shtoi Touner, duke plotësuar se tani për tani megjithatë nuk është marrë vendim për furnizimin e kryengritësve libianë me armë.

Përfaqësuesi civil amerikan Kris Stivens para dy javëve u nis për në Bengazi me detyrë që ta vlerësojë gjendjen në terren dhe me liderët e opozitës ta shqyrtojë nevojën për dërgimin e ndihmës humanitare për popullatën.

Touner theksoi se SHBA-ja është e vetëdijshme se kryengritësve libianë u mungojnë mjetet financiare, kështu që “për momentin merren me këtë problem konkret”.

“E shqyrtojmë edhe mundësinë që të dërgojmë një lloj tjetër të ndihmës, e cila nuk është e lidhur me furnizimin me armë”, shtoi Touner, duke potencuar se “në pajtim me marrëveshjen ndërkombëtare” punohet për krijimin e mekanizmit për dërgimin e të hollave kryengritësve.