Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 08:46

Uashington – SHBA-ja shprehu besim në aftësinë e NATO-s për plotësimin e misionit të saj në Libi pasi Franca dhe Britania e Madhe u ankuan se forcat e tyre po ndërmarrin pjesën më të madhe të barrës në këtë operacion, transmetuan agjencitë.

“Kemi besim të plotë në aftësinë e NATO-s për plotësimin e detyrës së saj për zbatimin e respektimit të embargos për armë, zonës për fluturime të ndaluara dhe mbrojtjes së civilëve në Libi”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit Shtetëror, Mark Toner.

SHBA-ja nga fillimi ka qenë në radhët e para të operacionit ushtarak, që më 19 mars filloi kundër regjimit të Moamer Gadafit, por javën e kaluar tërësisht u tërhoqën në pjesën e pasme të terrenit.

“Siç tha presidenti Obama, SHBA-ja dhe partnerët e tjerë kyç kanë kapacitet, të cilin e shfrytëzuan në fillim të këtij operacioni, ndërsa më pas roli jonë duhej të zvogëlohej derisa ajo e NATO-s rritej dhe Aleanca ta ndërmarrë kontrollin mbi operacionin, ashtu siç ndodhi”, theksoi Toner.

“Ne megjithatë, vazhdojmë t’i japim mbështetje operacionit me baza dhe resurse tona në Detin Mesdhe. Theksoj se e kundërta e kësaj nuk do të ishte korrekte”, nënvizoi Toner.

Ministri francez i Mbrojtjes, Zherar Longe dje shprehu brengosje që Franca dhe Britania e Madhe e kanë rolin kryesor në angazhimet e koalicionit ndërkombëtar. Shefi britanik i diplomacisë Uiliam Hejg foli në favor të “mbështetjes dhe intensifikimit të angazhimeve në kuadër të NATO-s” gjatë takimit me kolegët e tyre nga BE-ja në Luksemburg. Ministri francez i Punëve të Jashtme, Alen Zhype, deklaroi se NATO “nuk e plotëson mjaftueshëm rolin e saj”.

Ky është rasti i parë, në të cilin Parisi e kritikon NATO-n, pasi e ndërmori Aleanca komandën me operacionet në Libi, transmetuan mediat franceze.