Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 15:44

Uashington – SHBA-ja është e gatshme ta ashpërsojë tonin e deklaratave lidhur me ngjarjet në Siri, por akoma po përmbahet nga thirrjet e hapura për rrëzimin nga pushteti të presidentit Bashar al Asad, deklaroi një përfaqësues i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Ai theksoi se administrata po vepron shumë me kujdes për shkak të situatës së komplikueshme në Siri.

Sanksionet ndërkombëtare kundër regjimit në Damask, të cilat deri më tani janë vendosur, nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Asadin.

Lidhur me qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë ndaj Asadit, funksionari i lartë amerikan deklaroi se administrata akoma nuk ka arritur në atë fazë.

“Ai është një vendim i vështirë. Nuk mjafton vetëm të thuhen fjalë, duhet të jemi të gatshëm të reagojmë në mënyrë adekuate edhe ndaj pasojave”, theksoi ai.