Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 15:30

New York – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama e ka shndërruar në projektligj një ide të miliarderit amerikan Warren Buffet, për të cilin “nuk është e drejtë që ai (Buffet) paguan një përqindje më të ulët në taksa se sa sekretarja e tij”.

Projektligji është quajtur “Regulli Buffet” dhe përmes tij administrata Obama kërkon që familjet e pasura me të ardhura 2 milionë dollarë në vit të paguajnë një minimum prej 30 përqind taksa, ndërsa ato me të ardhura midis 1 dhe 2 milion dollarë në vit, një minimum më të ulët.

Deri tani milionerët amerikanë kanë paguar taksa më të ulëta, sipas një ligji të trashëguar nga Presidenti Xhorxh Bush dhe që administrata Obama e ka lënë në fuqi për arsye të ndryshme, në emër të kompromisit.

Tashmë, Obama gjykon se ka ardhur koha që amerikanët e pasur të paguajnë atë që ai e quan pjesën e tyre të drejtë në taksa.

Presidenti ka shpjeguar se taksat e ulëta për të pasurit u supozua se do të siguronin rritjen masive të punësimit, por nuk mundën, u supozua të drejtonte vendin në një propsporitet të madh, por nuk mundi. “Ne e provuam përqasjen e tyre (republikanëve) në një shkallë të gjerë dhe rezultatet e eksperimentit të tyre janë këtu, për të gjithë”, ka deklaruar Obama.

Me tepër si një zgjidhje për problemet buxhetore, administrata Obama e sheh “Rregullin Buffet” si të përshtatshëm në temën “drejtësi” për klasën e mesme.

“Financimi i përfitimeve nga taksat për të pasurit nuk është e drejtë në një kohë që familjet e klasës së mesme përballen me vështirësi për të paguar për gjëra të domosdoshme”, është shprehur Presidenti amerikan.

Mirëpo “Rregulli Buffet” është vështirë të kthehet në ligj nga Kongresi, ku ligjvënësit republikanë e kanë kundërshtuar atë. Republikanët e kanë cilësuar Presidentin Obama si një liberal “tax and spend”, një term që nënkupton rritjen e taksave në mënyrë që të financohen shpenzimet qeveritare. Republikanët e shohin përpjekjen si një humbje politike në një kohë kur punësimi dhe çmimi i energjisë janë çështje kryesore.

Demokratët nga ana tjetër shohin arsye të shumëfishta për të shkuar përpara, njëra prej të cilave lidhet me kandidatin republikan presidencial, Mitt Romney, i cili në vitin 2010 ka paguar 13.9 përqind në 21.7 milion dollarë të ardhura.

Për demokratët, Romney duhet të shpjegojë përse beson se është e ndershme që ai dhe të pasurit e tjerë amerikanë, shumica e të cilëve bëjnë të ardhura nga investimet, të paguajnë taksa sa familjet e mesme.

Edhe nëse Romney nuk i përgjigjet kërkesës së rivalëve demokratë, propozimi i Presidentit Obama e ka bërë efektin. Shumica e amerikanëve, të paktën 60 përqind e tyre, sipas anketave, janë shprehur se të pasurit duhet të paguajnë minimumi 30 përqind taksa.