Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 06:37

Uashington – SHBA-ja e pranoi kërkesën e NATO-s për vazhdim 48-orëshe të pjesëmarrjes së saj në sulmet ajrore të forcave të koalicionit mbi Libinë.

Fillimisht u parapa që SHBA-ja të tërhiqet nga veprimet ushtarake mbi Libinë të shtunën, ndërsa rolin e tyre ta ndërmarrin Britania e Madhe, Franca dhe aleatët e tjerë të NATO-s.

“Për shkak të kushteve të këqia atmosferike gjatë ditëve të fundit Aleanca kërkoi nga SHBA-ja ta vazhdojë deri sot pjesëmarrjen e saj në operacionin kundër Libisë”, thuhet në kumtesën e zëdhënëses së NATO-s, Oana Lunxhesku.

Aeroplanë ushtarak amerikanë do të vazhdojnë t’i kryejnë sulmet kundër forcave të Gadafit dhe objekte në Libi deri sonte.

Një përfaqësues i lartë ushtarak amerikan theksoi se për shkak të reve të dendura mbi Libinë gjatë ditëve të fundit nga java e kaluar është zvogëluar intensiteti i sulmeve.

Deputetët amerikanë dje paralajmëruan se aleatët duhet të disponojnë me më shumë informata për kryengritësit, të cilët dëshirojnë ta mposhtin liderin libian Moamer Gadafi nga pushteti, para se SHBA-ja të miratojë vendim nëse do t’u dërgojnë armë.